27 qershori

Një takim në Uashington dhe e ardhmja

Përfshirja më aktive e Amerikës në dialogun në mes të Kosovës e Serbisë ka krijuar përshtypjen sikur tashmë janë dy aktorë që projektojnë zgjidhje për dy vendet ballkanike. Në njërën anë Bashkimi Evropian dhe në anën tjetër SHBA-të.

Një takim në Uashington dhe e ardhmja

Richard Grenell, emisar i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi bëri të ditur të hënën se me 27 qershor, se do të ketë një takim në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë në Uashington, për të shqyrtuar opsionet drejt rrugës për para, njofton Insajderi.

Grenell njoftoi në Twitter se ka marrë zotimin e të dyja palëve për këtë takim.

Madje, në këtë zotim përfshihet edhe ndalja e menjëhershme e kampanjës për çnjohje nga Serbia, por gjithashtu edhe ndalje të tentimeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Lajm i mrekullueshëm. Kam marrë zotimin e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë që përkohësisht të ndalohet kampanja e mos-njohjeve dhe ndjekja e anëtarësisë në organizata ndërkombëtare në mënyrë që të takohemi në Uashington, në shtëpinë e bardhë, me 27 qershor, për të diskutuar rreth dialogut”, shkroi Grenell në Twitter.

Ai vazhdoi me një cicërim të dytë, duke thënë se nëse palët ndahen të pakënaqura nga takimi, atëherë janë të lira t’i kthehen gjendjes në të cilën veç janë – status quos.

“Nëse secila palë janë të pakënaqura nga bisedimet e 27 qershorit, atëherë do të kthehen prapa në gjendjen e tanishme, pasi të largohen nga Uashingtoni”, shkruan Grenell.

“Ashtu siç kemi thënë vazhdimisht, fillimisht duhet të bëjmë progres në ekonomi. Ky është fokusi. Jam në pritje të këtyre bisedime”.

Lajmi i dhënë nga Grenell u prit shumë mirë në Prishtinë, përveç një pjese të opozitës.

Presidenti Hashim Thaçi tha se “lidershipi dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithmonë kanë qenë vendimtare për të ardhmen prosperuese të Kosovës”, ndërsa kryeministri Avdullah Hoti ia la meritat për këtë takim aftësisë koordinuese të qeverisë së re në raport me miqtë ndërkombëtarë.

Në anën tjetër, në Serbi, nuk kishte edhe aq entuziazëm.

U njoftua se Aleksandër Vuçiq pati një telefonatë me Vladimir Putnin e Rusisë, i cili e siguroi se çfarëdo që të ndodhë në atë takim, një vendim final duhet të kalojë nëpër Këshill të Sigurimit, ku Rusia ka veto./Insajderi.com