Lajçakun edhe mund ta takoj – varet për çka ka ardhur

Emisari i BE-së sot viziton zyrtarisht Kosovën ku do të takohet me kryeministrin Hoti dhe kryeparlamentaren Osmani. Takimi mes tij e Thaçit është diskutueshëm.

Lajçakun edhe mund ta takoj – varet për çka ka ardhur

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka thënë se nuk ka arsye të mos e takojë Miroslav Lajçakun, por në momentin që i dërguari i BE-së zbret në Kosovë, ekipa e tij do ta kontaktojë ekipen e Lajçakut për motivin e arsyes së vizitës së tij në Kosovë, njofton Insajderi.

Ai tha se nëse qëllimi i Lajçakut është hulumtimi i terrenit, atëherë nuk ka nevojë për takim, por nëse ai e trajton Kosovën si shtet të pavarur atëherë procesi do të jetë shumë më i lehtë.

“Lajçak nuk është në Kosovë, në momentin që eventualisht zbret ekipet tona do të komunikojmë nëse ka diçka konkrete natyrisht se nuk ka arsye për të mos u takuar,  nëse është vetëm për të hulumtuar terren, s’ka nevojë”, ka deklaruar Thaçi.

“Duhet të tregojë qëndrimin për vizat dhe në anën tjetër se si do ta trajtojë Kosovën nëse e trajton si shtet të pavarur, atëherë procesi do të jetë më i lehtë”, ka thënë presidenti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur konferencë për shtyp ku ka thënë ndër tjerash se në Uashington  nuk do të flitet për territore. /Insajderi/