Thaçi: Ftesa e Grenellit rritë optimizmin se dialogu do të ketë sukses

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka mbajtur konferencë për media ku ka trajtuar disa çështje të rëndësishme si vizita Lajçakut, ftesa e Grenellit dhe dialogu në përgjitthësi.

Thaçi: Ftesa e Grenellit rritë optimizmin se dialogu do të ketë sukses

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë në një konferencë për media se ftesa e emisarit të Trump-it, Richard Grenell është mesazhi i qartë i mbështetjes së fuqishme amerikane për Kosovën.

Ai shtoi se SHBA dhe aleatët tjerë europian janë të gatshëm të investojnë në Kosovë.

“SHBA por edhe aleatët tjerë tanë të përbashkët evropian janë të gatshëm të investojnë në Kosovë, në Kosovën e konsoliduar si shtet i pavarur e evropian. Por në të njëjtën kohë është edhe stabiliteti i rajonit. Kjo e bën të rëndësishëm vazhdimin e dialogut dhe raportet që ka Kosova e Serbia. Qëndrimi i SHBA dhe ftesa për 27 qershor për takim në Shtëpinë e Bardhë, rrit shpresën, optimizëm dhe besimin se ky proces do të ketë sukses. Pasi që ky proces e ka mbështetjen e qartë të SHBA-ve, të vet presidentit Trump si dhe këmbëngulësinë dhe vendosmërinë e ambasadorit Grenell”,  ka deklaruar presidenti.

Richard Grenell ka ftuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë me 27 Qershor në Uashington pasi më parë kishte filluar procesin që të krijohen kushtet për një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë. Grenell ka thënë se ka marrë zotim nga Serbia se do ta ndalë fushatën e çnjohjeve e nga Kosova se do të ndalojë përkohësisht përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. /Insajderi/