Një aksident tragjik ka marrë jetën e të riut nga Terpeza e Malishevës i cili sot pritej të emërohej këshilltar në MInistrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Një aksident tragjik i mori jetën zyrtarit të Nismas Socialdemokrate, Albert Krasniqit i cili sot pritej të emërohej këshilltar i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqit.
Lideri i Nismas, Fatmir Limaj ka shprehur ngushllim për vdekjen e zyrtarit të subjektit politik që ai drejton.
Limaj në një postim në Facebook ka shkruar se ka takuar Krasniqin në selinë e Nismas pak kohë para se të ndodhte aksident.
“Albertin e kam takuar disa orë para aksidentit në selinë e Nismës Socialdemokrate si gjithnjë energjik dhe i gatshëm për sfida të reja”, ka shkruar ndër tjerash Limaj. /Insajderi/
Postimi i plotë:
Lajm i kobshëm vdekja tragjike e të riut nga Tërpeza e Malishevës, Albert Krasniqi.
I prekur thellë me humbjen e jetës në mënyre tragjike të bashkëvendësit tim, aktivistit të përkushtuar të Nismës Albert Krasniqi.
Ikja e hershme e Albertit ka lënë boshllëk të madh tek ne. Albertin e kam takuar disa orë para aksidentit në selinë e Nismës Socialdemokrate si gjithnjë energjik dhe i gatshëm për sfida të reja.
Do të mbetet përherë në kujtesën tonë si djalë i edukuar dhe i përgatitur profesionalisht, por mbi të gjitha si një djalë me vlera të larta njerëzore.
Ndajmë dhimbjen me familjen Krasniqi për humbjen e djalit të tyre. Ngushëllimet më të sinqerta të gjithë atyre që e kanë njohur Albertin!
U prehsh në paqe, Albert!