Richard Grenell: Pra, ne e bëmë këtë të qartë në mënyrë të përsosur. Ai (Albin Kurti) e diti këtë dhe megjithatë zgjodhi të vazhdonte me politikën e vet. Ai tha: ‘Nuk mund të bëj asgjë për këtë. Kjo është politika ime’. Ai ishte shumë mirë i vetëdijshëm
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte mundësinë që të punonte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vendosi ndryshe.
“Albin Kurti kishte shumë mundësi të punonte me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe ai vendosi që nuk e dëshiron këtë, sepse ai e kishte një politikë që ishte në kundërshtim me politikën tone”, ka deklaruar Grenell në një intervistë për portalin Express.
“Ai do të mund të provonte të shkonte përpara dhe të thoshte se politika e tij është më e mirë. Nuk do të zgjatem. Kjo është e tëra që do të them për Kurtin”, tha Grenell, por përsëri foli për Kurtin.
“Një gjë që do ta them është se unë kam pasur komunikim shumë shumë të kufizuar me të (Albin Kurtin). Një herë ishte personalisht, mund ta kem takuar dy herë. Sa herë kam shkuar në Prishtinë, e kam takuar shkurtimit, më duhet ta them. Pra, sa herë kam qenë në Prishtinë, jam takuar me të shumë shkurtimisht”.
“Më pas e pata një bisedë telefonike në Shtëpinë e Bardhë mes Robert O’Brien, meje dhe Albin Kurtit. Ishte një bisede telefonike shumë e gjatë, ku ai ishte shumë i vendosur se nuk do t’i ndryshojë politikat e veta dhe ai ende e dëshironte përkrahjen e Shteteve të Bashkuara dhe ne e bënë të qartë në atë bisedë telefonike se ne jemi miq të shkëlqyeshëm me Kosovën, ua duam të mirën, por nuk ishim në një pozicion për të dhuruar të holla dhe për të ofruar përkrahje financiare, kur ju ishit duke bërë politika që po e dëmtonin vetë ekonominë tuaj”.
“Pra, ne e bëmë këtë të qartë në mënyrë të përsosur. Ai e diti këtë dhe megjithatë zgjodhi të vazhdonte me politikën e vet. Ai tha: ‘Nuk mund të bëj asgjë për këtë. Kjo është politika ime’. Ai ishte shumë mirë i vetëdijshëm”.
“Unë e takova atë kur isha në Prishtinë, një bisedë telefonike me Robert O’Brien në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj disa mesazhe shumë të kufizuara. Unë kurrë nuk fola me më të. Ishte diçka shumë minimale. Ai bëhej sikur kemi folur tërë kohën dhe sikur unë i kam bërë presion. Kjo nuk është e vërtetë. Ne kishim komunikim shumë të kufizuar, sepse e bëmë të qartë saktësisht se cila ishte politika jonë dhe ai e dinte këtë. Nuk kishte ndonjë mister për këtë”./Insajderi.com