Për katër ditë rresht i rrëmbyeri është rrahur e torturuar nën tytën e armës, derisa rrëmbyesit prisnin që të merrnin paratë nga vëllai i viktimës.
Katër veta kanë, vitin e kaluar, planifikuar dhe ekzekutuar rrëmbimin e një personi në qytetin e Prizrenit, i cili siç raporton policia është shtetas turk, njofton Insajderi.
Arsyeja e rrëmbimit ishte më pas shantazhimi i familjarëve të të rrëmbyerit që në këmbim të lirimit të tij të fitojnë para.
Të dyshuarit, duke vepruar së bashku e kanë rrëmbyer turkun me veturë dhe e kanë dërguar deri tek parku i qytetit në Prizren.
Sipas planifikimit, ata më pas i kanë bërë një telefonatë vëllait të të rrëmbyerit dhe i kanë kërkuar shumën prej 50 mijë euro, duke e kërcënuar se nëse nuk do të dorëzojnë të hollat e kërkuara në këmbim të lirimit të do t’ia vrasin vëllain.
Gjatë kësaj kohe, i rrëmbyeri është mbajtur i lidhur dhe ndaj tij është përdorur dhunë, si dhe nën kërcënimin e armës.
Rasti ka ndodhur me 17 shtator të vitit të kaluar, ndërsa viktima është mbajtur për katër ditë më radhë duke u torturuar.
Tash Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.M., Y.M., L.B. dhe B.B.
Në njoftimin e prokurorisë nuk thuhet se si u arrit të kapen rrëmbyesit dhe të sillen para drejtësisë./Insajderi.com