Të dielën e ardhshme do të mbahen zgjedhjet në Serbi, por shumë shqiptarë nuk do të mund të votojnë.
Si shumë të tillë është edhe Haki Emini, i cili është nga Medvegja, por me banim në Gjenevë të Zvicrës, njofton Insajderi.
Ai pretendon se po i mohohet e drejta e votës në mënyrë të paligjshme dhe anti-kushtetuese dhe se arsyeja për këtë është vetëm fakti se është shqiptar.
“Jam njoftuar personalisht nga Konsullata e Republikës së Serbisë në Gjenevë se emri im gjithashtu ishte larguar nga lista e zgjedhësve në bazë të një vendimi të pavlefshëm lidhur me fshirjen e vendbanimit tim në atë komunë”, shkruan ai në një letër që ua ka dërguar mediave, për ta problematizuar këtë shqetësim të tij, por edhe të shumë shqiptarëve të tjerë, siç thotë ai.
“Marrë parasysh që, sipas shënimeve të përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në vetëqeverisjen lokale të Medvegjës, në vitet e fundit mbi 2,000 shqiptarë në zonën e Medvegjës janë pasivizuar në mënyrë të paligjshme”.
Kështu thotë ai po diskriminohen shqiptarët dhe po u shkelën të drejtat në bazë të diskriminimit kombëtar.
“Përkundër faktit se unë kam raportuar rregullisht vendbanimin tim tek autoritetet e Republikës së Serbisë, në bazë të të cilës kam votuar rregullisht në Konsullatën e Serbisë në Gjenevë, anëtarët e Stacionit Policor në Medvegjë morën një vendim të paligjshëm për konfiskimin e vendbanimit tim në atë komunë”.
Emini thotë se “për këtë unë u informova në mënyrë ilegale në vendkalimin administrativ kufitar në Mutivodë me marrjen e vendimit”.
Ai ka bërë ankesë, por sot e asaj dite nuk ka marrë një përgjigje.
Shqiptari nga Medvegja u ka bërë thirrje autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë që të mundësojnë ushtrimin e të drejtës së votës për të gjithë qytetarët që janë fshirë, sipas tij, në mënyrë të paligjshme nga lista e zgjedhësve para zgjedhjeve të planifikuara për 21 qershor./Insajderi.com