Slogani i SNS-së: “Vuçiq, për fëmijët tanë”

Analizë e BBC-së para zgjedhjeve në Serbi – A do të fitojë Vuçiq?

Partitë opozitare deklarojnë se “sundimi” i Vuciqit, ka filluar ta ngulfatë demokracinë e re të Serbisë.

Analizë e BBC-së para zgjedhjeve në Serbi – A do të fitojë Vuçiq?

Gjiganti mediatik anglez BBC i ka kushtuar një shkrim dhe analizë të gjatë, Aleksandër Vuçiq-it, presidentit serb, para zgjedhjeve që mbahen nesër në Serbi.

BBC e ka krahasuar të ardhmen politike të Vuçiqit dhe partisë së tij me të ardhmen e Premier Ligës angleze – “të paqartë”.

Ndërprerja e procesit zgjedhor nga Coronavirusi nuk është e vetmja gjë që zgjedhjet parlamentare në Serbi, kanë të përbashkët me rifillimin e Premier Ligës në Angli, shkruan BBC, njofton Insajderi.

Por përderisa Liverpool mundet që së shpejti të konfirmojë titullin e parë të kampionit pas 30-të vitesh, presidenti serb Aleksadër Vuçiq, mund ta humb pushtetin e tij në Serbi, pas pothuajse një dekade.

Presidenti serb filloi të fitonte në zgjedhje që nga viti 2012-të – kur partia e tij, Partia Porgresive, u bë subjekti kryesor në koalicionin qeverisës. Ttitulli i tij zyrtar ishte zëvendës-kryeministër, por që atëherë ishte e qartë se Vuçiq po e drejtonte “shfaqjen”.

Por pavarësisht suksesit të tij, e kaluara e Presidentit do të thotë që një masë e konsiderueshme e serbëve nuk do ta pranojnë kurrë atë si lider. Vuçiq kishte shërbyer edhe si Ministër i Informacionit gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit – presidenti serb që kishte quar në shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë në të 90-tat. Megjithatë, edhe kërkimfaljet e Vuçiqit dhe qëndrimet pro-Europiane, nuk “pinin ujë” te kritikët.

Pas fitores së Partisë Progresive në vitin 2014-të, atij iu sigurua vendi i Kryeministrit. Tri vjet më vonë, ai u zhvendos në presidencë, duke emëruar Ana Bërnabiqin si kryeministre, megjithatë, Vuçiq vazhdon të jetë i rëndësishëm në ekzekutivin serb.

Partitë opozitare deklarojnë se “sundimi” i Vuciqit, ka filluar ta ngulfatë demokracinë e re të Serbisë. Shumë prej tyre, janë shprehur se do ta bojkotojnë votimin e së Dielës për shkak se thonë se nuk ekzistojnë kushte për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Dragan Djilas, ish kryetari i Beogradit që tani e drejton Partinë e Lirsë dhe Drejtësisë (SSP), i ka etiketuar sondazhet e zgjedhjeve si të manipuluara, duke thënë se dominanca e SNS-së në media, do të thotë që votuesit nuk mund të dëgjojnë asgjë ndryshe.

Një tjetër aktivist opozitar, Dobrica Veselinovic i lëvizjes “Mos e lini Beogradin të fundoset”, ka thënë për BBC, se “kushtet e padrejta”, nuk ishin e vetmja arsye që qëndron prapa vendimit të lëvizjes së tij për t’i bojkotuar zgjedhjet.

Duke folur për BBC-në, transmeton Insajderi, ai ka thënë se: “çdo përpjekje për të nisur dialog me Qeverinë dështon – institucionet nuk duan t’i dëgjojnë kërkesat e qytetarëve”.

Në anën tjetër, Eric Gordy, specialist për Ballkanin nga University College London, thotë se bojkoti i pjesshëm i opozitës – dhe parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve – po i dëmtojnë kredencialet demokratike të Serbisë.

“Kushti i parë për zgjedhje demokratike është që më shumë se një rezultat është i mundshëm – por me këto zgjedhje në Serbi, nuk ka fare pasiguri e dyshim”.

Mirëpo profesori Gordy beson se opozita po gabohet në besimin që bojkoti i tyre do ta pengojë legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.

“Që opozita të ketë sukses, ata duhet të kenë një audiencë që është e interesuar në legjitimitet – qoftë përbrenda vendit e qoftë ndërkombëtarisht. Por asnjë prej tyre nuk duket të jetë i shqetësuar për legjitimitetin – dhe qytetarët nuk kanë shumë besim që opozita do të mund të krijonte më shumë legjitimitet se sa partia e Vuçiqit, që është tani për tani në qeverisje”.

Dhe është e vërtetë, bojkot e pa bojkot, opozita politike në Serbi, është një lëmsh inkoherent.

Partia Demokratike (DS), u shpërbë pas humbjes së pushtetit në vitin 2012-të, duke u pasuar me shumë parti të reja të krijuara nga figurat kyçe si Dragan Djilas dhe Presidenti i mëparshëm i Serbisë, Boris Tadiq.

Në Serbi, nuk kishte opozitë atraktive për votuesit – edhe para se partitë e qendrës së majtë DS-ja dhe SSP-ja, të bashkoheshin me parti të tjera, përfshirë partitë e nacionaliste të krahut të djathtë, Dveri, në koalicionin e quajtur “Aleanca për Serbinë”.

Aleanca po ashtu ka refuzuar që të marrë pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Parlamenti Europian, të cilat kishin për qëllim që ta bindin qeverinë t’i adresojë kërkesat e Opozitës, e cila po shkonte drejt bojkotit.

Tanja Fajon, e cila e kryeson delegacionin e Parlamentit Europian për Serbinë, ka thënë për BBC, se i vie keq që partitë e Aleancës, nuk po marrin pjesë në votim.

“Është e rëndësishme që pas zgjedhjeve, ne të sigurohemi që do të ketë dialog real në parlament – në mënyrë që të mos vijmë sërish në një situatë ku opozita proteston në rrugë, e nuk punon në parlament”.

“Serbia është një vend thellësisht i polarizuar – shumë njerëz që janë të pakënaqur, kanë frikë t’i shprehin opinionet e tyre. Nëse ke një qeveri e cila është shumë e fortë, e një opozitë të fragmentuar, është tejet e vështirë të kesh demokraci të fortë”.

Presidenti Vuçiq, nuk kandidon për zgjedhjet e kësaj të diele. Por slogani i partisë SNS këto zgjedhje, pasqyron statusin e tij të pakrahasueshëm: “Aleksandër Vuçiq, për fëmijët tanë”.

Udhëheqësi i Serbisë premton “përshpejtimin e integrimit europian”, duke përmirësuar kushte ekonomike dhe duke u dhënë të rinjve një arsye për të qëndruar në vend.

Mirëpo gjetja e një mënyre për të rikthyer besimin e qytetarëve në demokracinë serbe, është po aq e rëndësishme, shkruan BBC. /Insajderi.com