Nëse bën Serbia, bën edhe ne

VV dërgon në Kushtetuese shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e Mitrovicë të Veriut

Komuna e Mitrovicës së Veriut e Podujeva duhet të shkojnë në zgjedhje, për shkak se kryetarët paraprak u emëruan në poste qeveritare. Kosova vendosi të mos mbajë zgjedhje, për shkak të pandemisë, por megjithatë Serbia mbajti zgjedhje në Kosovë. Tash, Vetëvendosje po ankohet.

VV dërgon në Kushtetuese shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e Mitrovicë të Veriut

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut, njofton Insajderi.

Pas organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në veri të vendit, VV thotë se arsyetimi që zgjedhjet komunale në Besianë e Mitrovicë të Veriut nuk mund të organizohen pasi rrezikojnë shëndetin publik, ka rënë.

“Si mund të shpjegohet që zgjedhjet e Serbisë mund të organizohen kurse ato të vetë komunave të Kosovës jo. Cila është porosia? Që ne kemi më pak të drejta? Që minoriteti serb nuk është përgjegjësi e qeverisë tonë sa i takon shëndetit publik? Cilado qoftë arsyeja është skandaloze dhe e papranueshme”, thuhet në komunikatën e VV-së.

VV thotë se Kushtetuta e Republikës, si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike garantojnë të drejtën e patjetërsueshme për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. “Komuna është njësi themelore e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës, e cila gëzon shkallë të lartë të vetëqeverisjes lokale dhe inkurajon e siguron pjesëmarrje aktive të të gjithë qytetarëve në procesin e vendimmarrjes së organeve komunale”, vijon komunikata./Insajderi.com