Konfiskohen mbi 55 kilogram marihuanë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve A.N., I.B., L.O., për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe kundër të akuzuarit V.E. për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe posedim të paautorizuar të armëve, njofton Insajderi.
Sipas gjykatës, i akuzuari A.N. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 10 muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 7.000 euro, të cilën shumë i njëjti është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
“Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 24.06.2019 e tutje. Të akuzuarit I.B. dhe L.O. janë shpallur fajtor dhe janë dënuar secili veç e veç me dënim me burgim në kohëzgjatje me nga 3 vite e 6 muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 10.000 euro të cilat shuma të njëjtit janë të obliguar ta paguajnë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”.
“I akuzuari V.E. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite dhe dënim me gjobë në shumën prej 10.500 euro, të cilën shumë i njëjti është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”.
“Të akuzuarve A.N., I.B. dhe L.O. ju është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi”, thuhet në komunikatën e gjykatës, ku sqarohet se nga të akuzuarit janë konfiskuar 55 kilogram e 432 gram narkotik të llojit marihuanë.