Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka komentuar çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një intervistë televzive për “Opinionin” në TV Klan, ka komentuar edhe procesin e dialogut të Kosovës.
Sipas, Ahmetit, problemi i Kosovës nuk është problem vetëm i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve, rajonit dhe i Europës.
“Kosova nuk është problem vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit dhe i gjithë Evropës. Është problem i gjithë shqiptarëve, sepse shqiptarët kanë hequr nga regjimet serbe. Kanë të vrarë gjithandej… Kjo çështje shtrohet edhe për pajtim dhe ashtu duhet parë, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe shqiptarëve në përgjithësi që kanë pasur tragjedi nga regjimet serbe. Ne duhet inkurajojmë të gjithë shqiptarët, edhe Tiranën në këtë drejtim”, ka thënë Ahmeti.
Më tutje Ahmeti tha se kokëfortësia nuk është zgjidhje për dialogun, pasi koha ka dëshmuar se kompromiset gjithmonë kanë qenë të mira.
“Zgjidhje që do të kënaq palët nuk do të ketë asnjëherë, por pres një zgjidhje dhe kompromis të mirë. Koha ka treguar gjithandej se kompromiset janë më të mira se sa kokëfortësia”, theksoi Ahmeti. /Insajderi/