Urime të shumta

Liderët politikë në Kosovë e urojnë Ylfete Fanajn

Ylfete Fanaj, kryesuesja e re e Kuvendit të Kantonit të Lucernit në Zvicer, ka marrë urime të shumta. E urojnë Ramush Haradnaj dhe Albin Kurti.

Liderët politikë në Kosovë e urojnë Ylfete Fanajn

Rasti i përzgjedhjes së Ylfete Fanajt në krye të parlamentit të Kantonit të Lucernit në Zvicër, ka bërë që të reagojnë me urime të rastit edhe spektri politik në Kosovë. Së fundmi atë e ka uruar kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i AAK-së Ramush Haradinaj, njofton Insajderi.

Në urimin e Kurtit mes tjerash thuhet se “sot, znj. Ylfete Fanaj mori përsipër pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit të Zvicrës. Shqiptarja e parë deputete e këtij parlamenti, tash bëhet shqiptarja e parë që udhëheqë këtë institucion, që njëherit është posti më i lartë që ka marrë ndonjëherë ndonjë shqiptar në Zvicër”

Ndërsa në urimin e Haradinajt  thuhet:

“Shumë i lumtur për bashkatdhetaren tonë Ylfete Fanaj, prizrenasen që nga sot do udhëheq Kuvendin e Kantonit të Lucernit. Shqiptarët migruan në Zvicër në kohë të vështira për vendin. Por, kjo mërgatë, përpos se ndihmoi Luftën Çlirimtare, pjesëtarët e saj janë storie suksesi, jo vetëm në biznes, por edhe në politikë. Ylfetes i urojmë shumë suksese në detyrën e saj”. /Insajderi.com