Ragmi Mustafa: Përderisa Serbia në Kosovë kërkon të drejta edhe të mëtejme për komunitetin serb, shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vazhdimësi u mohohen edhe ato që janë edhe më themelore
Të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, duhet të jenë një nga temat për diskutim në takimin që do të mbahet me 27 qershor në Uashington, në mes Kosovës e Serbisë.
Këtë po e kërkon me ngulm kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa, njofton Insajderi.
Ai thotë se shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jenë të diskriminuar nga shteti serb.
“Kam kërkuar që presidenca, Kuvendi dhe qeveria e Republikës së Kosovës të marrë parasysh kërkesat e Luginës së Preshevës dhe ta shtrojë si çështje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi sepse duke e trajtuar Luginën e Preshevës në këtë format do të mund të arrihej një standard. Sepse në Ballkan duke pasur standarde të dyfishta të trajtimit të pakicave nuk do të ketë paqe”, ka thënë Mustafa.
Ai është shprehur se “përderisa Serbia në Kosovë kërkon të drejta edhe të mëtejme për komunitetin serb, e që janë mbi standardet evropiane, shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vazhdimësi u mohohen edhe ato që janë edhe më themelore”./Insajderi.com