Qendra Social-Edukative “Don Bosko”, ka lëshuar një reagim zyrtar ndaj shkrimeve në disa media për drejtorin e kësaj qendre, Izidor Lukic, për të cilin u raportua se ka afërsi intime me nxënëset e kësaj qendre.
Disa minuta pasi vet prifti, drejtor i kësaj qendre Lukic tha për Insajderin se këto janë shpifje që për qëllim kanë denigrimin e personalitetit të tij, Qendra “Don Bosko” pretendon se ka gjetur edhe “autorët e artikujve”
“Jemi të sigurt se këto janë shpifje nga ish-punonjës të cilët, për hakmarrje personale, sulmojnë drejtorin për shkak të mos vazhdimit të kontratave të punës me ta”, thuhet në reagimin e Qendrës “Don Bosko” në një komunikatë me titullin “Reagim ndaj shpifjes të publikuar në disa portale”.
Tutje në këtë reagim, “Don Bosko” shkruan se artikujt e botuar janë tentim për të njollosur figurën e Drejtorit që QSE-së, “Dn Bosko”
“Bëjmë me dije se fotot janë të nxjerra nga konteksti publik të cilat janë bërë ndër vite, ndërsa janë publikuar për qëllim të vetëm shantazhimin e drejtorit dhe hedhjen baltë mbi punën edukative që kjo Qendër bën për shumë vite në Kosovë”, thuhet në reagim.
QSE “Don Bosko” është e gatshme, dhe fton të gjithë të interesuarit, thuhet në këtë reagim, që të vijnë dhe ta sqarojnë në tërësi këtë “shpifje të montuar, për qëllime të ulëta, e cila shkon në dëm të nxënësve, fillimisht, dhe të QSE ‘Don Bosko’ e cila shquhet për rregull, cilësi dhe sukses në mësime”.
“Suksesin dhe seriozitetin e QSE ‘Don Bosko’ më së miri e kanë të njohur komuniteti i prindërve të nxënësve, të cilët gjithherë janë falënderues. QSE ‘Don Bosko’ do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore ndaj shpifjeve të tilla”, thuhet në reagimin e Qendrës “Don Bosko”./Insajderi.com
Prifti, drejtor i “Don Boskos” mohon afërsitë intime me nxënëset, paralajmëron padi