Kadri Veseli: Lufta e UÇK-së ishte e shenjtë, ajo do të mbetet e tillë.
Akuzat janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë, prandaj nuk do të lejoj që askush ta njollosë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kështu ka thënë Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, të cilit i është ngritur aktakuzë nga Gjykata Speciale, bashkë edhe me Hashim Thaçin e nëntë persona të tjerë, të cilëve ende nuk u janë zbuluar emrat, njofton Insajderi.
“Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Po ashtu nuk ka kurrfarë baze për pengim të punës së gjykatës. Është shqetësim i thellë gjuha e tillë. Akuzat janë krejtësisht politike”, ka deklaruar Veseli, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
“Duke pasur parasysh kohen dhe rrethanat me të drejtë janë ngritur shqetësime se kjo nuk është rastësi. Me ketë qasje prokurori ka paralajmëruar rrugën që pretendon të ndjekë për ta ushtruar pushtetin et tij. Ky proces nuk mund të jetë i besueshëm. Motivet e vërteta janë politike. Por, nuk do të lejoj që ky prokuror të njollosë Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës”.
“Do të demonstrojmë me fakte se kemi bërë luftë të ndershme. Jam krenar që kam qenë pjesë e UÇK-së. Deklarata është një përpjekje për të rishkruar historinë. E kam për nder dhe privilegj që ta mbroj Kosovën edhe njëherë nëse na imponohet. Nuk mërzitem, sepse e di që kam bërë luftë të drejtë. Lufta e UÇK-së ishte e shenjtë, ajo do të mbetet e tillë”, ka përfunduar Veseli./Insajderi.com