Rama i pagojë

Rama: Kur pashë tekstin e aktakuzës – hera parë në jetë që mbeta pa fjalë

Një tekst që krijoi heshtje. Kjo ka ndodhur kur Edi Rama u ballafaqua me atë që aktakuza thoshte për Thaçin e Veselin.

Rama: Kur pashë tekstin e aktakuzës – hera parë në jetë që mbeta pa fjalë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është gjendur në një pozitë fare të pazakonshme për të, kur ka parë tekstin e aktakuzës që ka ngritur Gjykata Speciale, kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai njihet për oratori dhe artikulim, por s’ka mundur të gjejë dot fjalët kur pa se çfarë shkruhej në njoftimin e lëshuar nga gjykata.

Kështu ka treguar kryeministri shqiptar, kur ka përshkruar momentin e ballafaqimit me dokumentin njoftues të Speciales.

“Ajo çka mua më ka indinjuar thellë dhe më ka bërë që ndoshta për herë të parë të mos gjej dot fjalët për të shprehur, sepse ai tekst mu duk përtej, shumë përtej fillimit të kërkimit të drejtësisë, lidhur me çfarë presupozohet se do të gjykohet ndaj presidentit dhe ish-kryeparlamentarit”, pohoi Rama në një intervistë në Klan Kosova.

“Për një moment, ai tekst ka marrë dhenë, pasi bota është zvogëluar shumë dhe sa shumë njerëz që nuk e kanë idenë e përgjithshme lërë më detajet e historisë që e kanë lexuar kanë ndjerë jo se bëhet fjalë për dy nismëtarë dhe udhëheqës të luftës çlirimtare, po sikur flitet për dy pjesëtarë të një regjimi kriminal të vendosur, përmes krimeve kundër njerëzimit, athua se flitet për Serbinë dhe për regjimin serb, jo sikur flitet për udhëheqësit e një vendi që ishte viktimë e një agresioni, po sikur pjesëtarë agresorë”.

“Kjo ishte ajo që më ka tronditur, sepse pa marrë parasysh pastaj edhe faktin që si mundet që të flitet për të vrarët, duke folur me shuma të përgjithshme. Flitet për obstruksion, apo përpjekjeje për pengim, që është një hata në vete, pasi unë jam dëshmitar i disa bisedimeve dhe i një bashkëbisedimi që kam zhvilluar me Hashim Thaçin me Isa Mustafën dhe e kam zhvilluar këtë bashkëbisedim në Prishtinë, kur diskutohej futja në rendin e ditës dhe votimi i Speciales dhe e di shumë mirë, faktualisht se që të dy ishin absolutisht pa rezervë për ta mbështetur këtë nismë dhe nga ana tjetër kishin problemin e garantimit të votave të mjaftueshme për ta votuar. Nëse nuk do të kishte vullnet, e lërmë nëse do të kishte vullnet për ta bllokuar, nuk do të kalonte Gjykata”./Insajderi.com