Prokuroria në finale të hetimeve ndaj Shefqet Krasniqit, avokati nuk pret aktakuzë

Prokuroria në finale të hetimeve ndaj Shefqet Krasniqit, avokati nuk pret aktakuzë

Ishte në mesin shumë imamëve në Kosovë që në shtator të vitit 2014 u arrestuan e u morën në pyetje nga Policia e Kosovës.

Përderisa po në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj disa prej tyre, për ish-imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqin, hetimet u zgjatën edhe për 6 muaj.

Prokuroria Speciale më 15 shtator 2016, një ditë para skadimit të afatit zyrtar për hetime, ngriti aktakuzë ndaj Fuad Ramiqit, Bedri Robajt, Idris Bilibanit, Enes Gogës dhe Mazllam Mazllamit.

“Prokuroria Speciale është në fazën finale të hetimeve – te afatit shtesë prej 6 muajsh, të aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake. Prokuroria në momentin e marrjes së ekspertizave dhe rezultateve tjera finale do të dale me rezultat përfundimtar të hetimeve, pa paragjykuar se do të ketë ngritje të aktakuzës apo jo”, ka thënë Liridona Kozmaqi zëdhënëse e Prokurorisë Speciale, për KTV-në.

Pas 2 vjet e gjysmë hetime të Prokurorisë, avokati i Shefqet Krasniqit, Bajram Tmava, nuk pret që të përfundojnë me aktakuzë ndaj klientit të tij.

“Në bazë të asaj që unë di, përgjegjësi penale për Shefqet Krasniqin, nuk ka me pasë”, tha avokati i Shefqet Krasniqit.

Hetimet ndaj Krasniqit, që dyshohet për nxitje të urrejtjes, përçarjes apo mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, me kërkesë të prokurorit Elez Blakaj, përkitazi me nenin 156 të kodit të procedurës penale, u vazhduan edhe për 6 muaj./Insajderi.com