Richard Grenelll i emëruari nga presidenti amerikan, Donald Trump ka një mori takimesh dhe reagimesh për dialogun Kosovë Serbi.
I emëruari nga presidenti amerikan si i dërguar special për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell filloi me shumë optimizëm procesin që Kosova dhe Serbia të ulën në një tavolinë për të diskutuar të ardhmen e tyre.
Nisi me përpjekjet e Grenellit që taksa 100% ndaj produkteve serbe të largohet nga Qeveria Haradinaj, pastaj takimet e tij në Kosovë ku u takua edhe me ish-kryeministrin, Albin Kurtin e vazhdoi deri në caktimin e datës, 27 qershorin për takim në mes delegasionit të Kosovës dhe Serbisë.
Në një atmosferë diplomatike ku duket se ka rivalitet në mes Uashingtonit dhe Brukselit për të marrë drejtimin e dialogut, Grenell, caktoi datën e takimit ku tha se do të flitej rreth bashkëpunimit ekonomik dhe nuk planifikohej një marrëveshje finale në mes dy vendeve.
Gjithçka u anulua kur Gjykata Speciale ngriti aktakuza ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Kjo reflektoi që edhe kryeministri, Avdullah Hoti ta anulojë takimin duke e dështuar kështu planin e Grenellit për t’i ulur në një tavolinë Kosovën dhe Serbinë pas një pauze shumë të gjatë.
Revista e njohur amerikane Foreign Policy po e shikon këtë dështim të takimit si një dëmtim që mund t’i shkaktohet presidentit amerikan, Donald Trump para zgjedhjeve që pritet të mbahen këtë vit në SHBA.
Aktakuzat ndaj figurave të rëndësishme të UÇK-së dhe politikës kosovare kanë marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare sidomos kur ato janë bërë pak ditë para takimit në Uashington. /Insajderi.com/