Avdullah Hoti: Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate.
Mjekët e Kosovës, njëjtë si ata të Italisë dikur, do të mund ta shohin vetën para vendimeve të vështira morale – duke u hamendësuar se cilin pacient duhet medoemos ta shpëtojnë, e cilin ta lënë nën mëshirën e fatit. Cilit t’i japin ilaçe, e cilit veç shpresë.
Kjo pasi numri i rasteve me COVID-19 po rritet shpejt, e kapacitetet e shëndetësisë në Kosovë e kanë të pamundur ta përcjellin këtë rritje.
Jemi para bllokimit.
Ky është edhe shqetësimi i kryeministrit, Avdullah Hoti, i shprehur përmes një statusi në Facebook, shkruan Insajderi.
“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla”, shkruan kryeministri.
Por, nëse nuk rritet kujdesi dhe krijohet situata të cilës po ia ka dronë kryeministri, atëherë mbetet një opsion.
“Do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”.
Hoti ka folur edhe një herë për masat.
Ka thënë se ato janë të thjeshta dhe duhet t’i zbatojmë, si forma e vetme për të shpëtuar nga një bllokim i serishëm me pasoja të pakthyeshme për ekonominë edhe ashtu të dërrmuar kosovare.
“Masat për tu mbrojtur janë të thjeshta: (1) maska, (2) distanca fizike dhe (3) larja e duarve. Vetëm kaq mjafton për ta ruajtur veten, fëmijët tanë, prindërit, por edhe bashkëpunëtorët në vendin e punës, bashkudhëtarët në autobus e taksi, apo personin ngjitur në tavolinën tjetër në restorant”, shkruan kryeministri.
Ai ka sugjeruar që t’i kthehemi manualit edhe një herë – atij që e ka përgatitur ministria, e i cili “është i obligueshëm”.
“Është përgjegjësi e udhëheqësit të institucionit publik (ministri, komuna, ndërmarrje publike, agjenci etj.) dhe e pronarit të biznesit (në prodhim, restorant, shërbime, transport etj.) të sigurohen se janë marrë masat sipas këtij manuali”.
“Mos përmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme. Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla. Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate”.