Coronavirusi në vend është përhapur në numër rekord të rasteve krahasuar me fillimin e pandemisë.
Pandemia në dy javët e fundit në vend ka marrë statistika të shqetësuese. Mbi dhe rreth 100 raste brenda 24 orëve kanë qenë alarmuese për institucionet e shëndetësisë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka apeluar qytetarët që të marrin masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19 si maskat dhe distancën fizike.
Në anën tjetër, Klinika Infektive ka ngritur alarmin se Klinika po mbingarkohet pasi numri i rasteve në rritje ka bërë që shumë të infektuar të kenë nevojë për hospitalizim.
Kryeminstri, Avdullah Hoti, i shqetësuar me situatën shprehu bindjen se masat e izolimit mund të rikthehen nëse nuk përmirësohet situata.
“Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, ka shkruar Hoti të dielën në Facebook.
Në muajin qershor, Kosova hyri në fazën e tretë të masave lehtësuese – qarkullimi më i madh ka ndikuar në një realitet të ri të pandemisë ku statistikat janë përtej normales krahasuar me fillimin e pandemisë. /Insajderi.com/