Sot (nuk) flet Presidenti

Momenti i deklarimit – apo një tjetër shtyrje?

Hashim Thaçi pritet që sot të mbajë konferencë që e shtyu dje. Presidenti do t’u adresohet qytetarëve në lidhje me aktakuzën që i ka ardhur nga Gjykata Speciale.

Momenti i deklarimit – apo një tjetër shtyrje?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje, e diel, do të duhej të deklarohej rreth aktakuzës që është ngritur kundër tij nga Gjykata Speciale. Ai akuzohet për krime lufte – 100 persona të vrarë, rrahur e maltretuar.

Aktakuza i erdhi nga Gjykata Speciale që e votoi Kuvendi i Kosovës për të hulumtuar, e më pas nëse gjenden prova gjykuar, shqiptarët që potencialisht kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Aktakuza për Thaçin erdhi, por komenti i tij rreth saj ende jo.

Një konferencë për sot, në orën 20:00 është paralajmëruar, por një e tillë ishte paralajmëruar edhe dje.

Dje u shty, kjo e sotshmja pritet të mos e ketë fatin e njëjtë.

Burime të Insajderi.com brenda presidencës thonë se presidenti do t’u drejtohet qytetarëve sonte në mbrëmje dhe se nuk do të ketë më shtyrje.

Ende nuk dihet çfarë saktësisht do të thotë presidenti. Është aluduar për mundësinë e dorëheqjes nga posti, por një gjë e tillë mohohet nga i njëjti burim.

Nuk është se nuk është menduar dorëheqja, por ka pak, mbase fare, gjasa që të ndodhë.

Aktakuza për Thaçin erdhi vetëm dy ditë para takimit ne Uashington, ku me 27 qershor ishte caktuar që nën mikpritjen e Richard Grenell, emisarit special amerikan, të takoheshin përfaqësuesit e Kosovës e ata të Serbisë për të parë mundësinë e rihapjes së dialogut.

Vetë presidenti ishte entuziast për takimin. Pati thënë se aty do të flitet për një përfundim të bisedimeve me njohje të ndërsjellë dhe përfundimisht vendosjen e paqes mes vendeve që para 20 vjetëve kanë luftuar e që 20 vjet kanë raport pothuajse të ngrirë.

Por, takimi u anulua, pasi fillimisht Thaçi e ndali udhëtimin në gjysmë, duke njoftuar nikoqirin se, pas zhvillimeve të reja, ka vendosur të kthehet prapa e të mos shkojë.

Përveç Thaçit në aktakuzë është përfshirë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai veçmë është deklaruar. Ka pohuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ishte e pastër dhe e drejtë dhe ashtu do të vazhdojë të mbetet.

Lajmi për aktakuzën u bë global. Të gjitha gazetat dhe mediat më të mëdha të botës raportuan se presidenti i Kosovës po akuzohet./Insajderi.com