Thaçi: Kam shkelur vetëm ligjin e Millosheviqit – s’kam kryer krime

Thaçi: Kam shkelur vetëm ligjin e Millosheviqit – s’kam kryer krime

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sonte u është drejtuar qytetarëve të vendit për herë të parë pas propozim-aktakuzës nga Specialja për kinse krime lufte. Ai ka thënë se “ligjin e vetëm që ka shkelur është ai i kriminelit Sllobodan Millosheviq”, teksa ka bërë të ditur se do të jepë dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij.

Ai në një video-incizim prej rreth 18 minutash adresuar qytetarëve ka thënë se gjatë karrierës së tij gabime politike në paqe mund të ketë bërë, por krime lufte asnjëherë.

Thaçi ka thënë se edhe po të kthehet mbrapa në kohën, të cilën e ka quajtur të zezë të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, do të bënte të njëjtën gjë, duke “iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar”.

Ai ka thënë po ashtu se mbi dy dekada i ka mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

Ky parim sipas tij, mbetet i njëjtë edhe sot: “Kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me vote”./Insajderi.com