Projektet në vlerë prej 900 mijë euro, Komuna e Lipjanit i rrit në tre milionë

Projektet në vlerë prej 900 mijë euro, Komuna e Lipjanit i rrit në tre milionë

Një ditë më parë Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, kanë nënshkruar një memorandumin  mirëkuptimi për financimin e tri projekteve infrastrukturore në komunën e Lipjanit.

Por shumë e këtyre projekteve nuk është e njëjtë në njoftimet e Ministrisë e Infrastrukturës dhe Komunës së Lipjanit, pasi që Ministria e Infrastrukturës thotë se “rikonstruimi i rrugës Magurë – Blinaj në vlerë prej 500,000 €, ndërtimi i rrugës Vojnovc – Topliqan në vlerë prej 250,000 € dhe riasfaltimi i rrugës Llugaxhi – Gadime në vlerë prej 150,000 €.

Për të njëjtat projekte  në njoftimin e Komunës së Lipjanit dhe kryetarit Imri Ahmet në llogarinë e tij në Facebook, është thënë se këto projekte do të kushtojnë mbi tre milionë euro.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është financimi i projekteve infrastrukturore në Komunën e Lipjanit si: rikonstruimi i rrugës Magurë – Blinaj, ndërtimi i rrugës Vojnovc–Topliqan dhe riasfaltimi i rrugës Llugaxhi – Gadime. Këto projekte do të arrinë vlerën mbi 3 milion euro”, shkruan në njoftimin zyrtarë të Komunës së Lipjanit.

Për tre milionëshin e përmendur nga Komuna e Lipjanit dhe Kryetari  Imri Ahmeti, zyra për informim në Komunë e Lipjanit ka thëne se bëhet fjale për shënime shtesë duke përfshirë edhe projekte të tjera të cilat janë përmendur edhe në komunikatën e kësaj komune.

“Komuna e Lipjanit në komunikatën e djeshme  ka dhënë edhe shënime shtesë duke i përfshirë edhe projektet e tjera të cilat janë të paraparë në Buxhetin e Kosovës për vitin 2017 përkatësisht në Ministrinë e Infrastrukturës. Të cilat arrijnë vlerën mbi 3 milion euro në tërësi ( shih buxhetin e Republikës së Kosovës), Ministria e Infrastrukturës”, ka thënë për Insajderin, zyra për informim në Komunën e Lipjanit.

Por në njoftimin e Komunës me titull Mbi 3 milion euro investime në Komunën e Lipjanit, nuk janë përmendur projekte shtesë ashtu siç ka thënë zyra për informim në Komunën e Lipjanit.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, për takimin e tij me Ministrin e Infrastrukturës, Lutfih Zharku, ka thënë  se ka “nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në vlerë mbi 3 milion euro për financimin e projekteve infrastrukturore në Komunën e Lipjanit”, pa përmendur projekte tjera shtesë. /Insajderi.com