Kryeqyteti të bëhet me polici

Ministri i drejtësisë, Selim Selimi është takuar me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kryeqyteti të bëhet me polici

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi është takuar të martën me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin ka diskutuar edhe për formimin e policisë së kryeqytetit, e cila do të ndikojë në rritjen e efektivitetit në mbrojtjen e qytetarëve.

Selimi i ka ofruar të gjitha kapacitet për implementim të ligjit të Prishtinës dhe legjislacionit sekondar që lidhet me krijimin e policisë së kryeqytetit, gjë të cilën e parasheh edhe vetë ligji.

“Ne si ministri i Drejtësisë do t’ua ofrojmë të gjitha kapacitetet për legjislacionin sekondar për Ligjin e Prishtinës e cila ka qenë një punë e përbashkët e cila është bërë para disa muajve dhe kemi qenë të gjithë të gëzuar që ky ligj ka hyrë në fuqi, por tash na duhet ta implementojmë ligjin. Disa prej çështjeve të legjislacionit sekondar lidhen me Ministrinë e Drejtësisë, por duhet ta bëjmë një koordinim më të përafërt me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe komunën për ta zhvilluar legjislacionin sekondar. Legjislacioni sekondar ka të bëjë kryesisht me krijimin e Policisë së komunës, e cila do ndikonte në rritjen e efektivitetit kryesisht me mbrojtje e qytetarëve të komunës dhe çështjen e pronave”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari Ahmeti tha se kanë diskutuar edhe për ndryshimet në Kodin Civil dhe atë të Procedurës Penale, e të cilat do kenë ndikim në punën e komunës që ai drejton.

Ai tha se me këtë tast po shikojnë mundësitë e një udhëzimi administrativ, i cili do t’i hapte rrugë krijimit të policisë së Prishtinës.

“Ta marrim ndihmën nga ministria e Drejtësisë së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, të përpilojmë legjislacionin sekondar për Policinë e Prishtinës, e cila është obligim që ka dalë nga Ligji për Prishtinën. Meqenëse ka kaluar një kohë prej aprovimit të ligjit, tash do të diskutojmë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme për një udhëzim administrativ, i cili do t’i hapte rrugë krijimit të drejtorisë brenda Policisë së Kosovës e që është Policia e Prishtinës, e cila do të merrej ekskluzivisht me Prishtinën”, tha ai. /Insajderi.com/