Haxhiu kritikon qeverinë për qëndrimin e Listës Serbe

Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes ka reaguar ndaj qëndrimit të Listës Serbe për zbatim të vendimeve të qeverisë serbe. E fajëson Qeverinë Hoti.

Haxhiu kritikon qeverinë për qëndrimin e Listës Serbe

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ish ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj qëndrimeve të Listës Serbe. Ajo ka thënë se qeveria Hoti e ka ndryshuar nismën e mirë të 6 tetorit për tu bërë Kosova një republikë normale, njofton Insajderi.

Më pas Haxhiu ka shtuar se kjo qeveri me vendimet dhe veprimet e veta përbën rrezik për vendin dhe duhet të shkohet në zgjedhje sa më parë.

Më poshtë reagimi i saj i plotë:

Çudia më e madhe është kur nuk ka më çudi. Me 6 tetor të vitit të kaluar qytetarët kishin vendosur të ndërrojnë kursin e orientimit shtetëror. Më në fund po lëviznim drejt një Republike normale me dinjitet shtetëror. Me 3 shkurt kishim qeverinë e parë që nuk varej nga votat e Listës serbe. Aso kohe dukej si fakt jo aq relevant por rëndësinë po e shohim sot më shumë se kurrë. Ndërkaq reciprociteti ndaj Serbisë nuk ishte thjesht vendim, por qasje e mendësi e shtetndërtimit.

Sot, zv.kryeministri Goran Rakiq ka vendosur përmes shtabit paralel në komunat e veriut që kjo zonë të futet në karantinë, ndërkaq Lista serbe deklaron që marrin urdhëra vetëm nga Vuçiq.

Lejimi i kësaj mendësie qeverisëse e ka futur Kosovën në senduiç, në dy anët ka Serbinë, si shtet dhe si Listë serbe.

Për këto pak ditë hoqën reciprocitetin, hoqën dorë nga angazhimi për anëtarësimet në organizmat ndërkombëtar dhe pas hapjes totale karshi Serbisë natyrshëm vijnë këto vendime e deklarata nga leva tjetër e Beogradit dhe që cenojnë rëndë territorin dhe sovranitetin e vendit!

Kosova asnjëherë më shumë nuk ka pasur nevojë për zgjedhje. Veprimet e vendimet e tilla janë të rrezikshme dhe goditje mbi Republikën tonë.

Kjo qeveri duhet të largohet sa më parë. /Insajderi.com