Pritet të arrijnë testet e para serologjike në Prishtinë

Prishtina ka shënuar numër të madh të rasteve me coronavirus, mbi 1000 raste pozitive deri tash janë në kryeqytet.

Pritet të arrijnë testet e para serologjike në Prishtinë

Gjatë kësaj jave do të arrijnë testet e para serologjike në Prishtinë, kështu beson Komuna e Prishtinës. Avantazh i këtyre testeve janë rezultatet të cilat bëhen të ditura brenda 15 minutave e që ndihmojnë në zbulimin e rasteve me Covid-19.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi në një intervistë për KP e ka konfirmuar se të parët që do të testohen janë punëtorët e këtij institucioni

“Komuna e Prishtinës është në biseda me disa prej kompanive ku kemi pas edhe oferta prej disa ambasadave që të marrim si donacion këto teste të shpejta, që shkojnë nëpërmes marrjes së gjakut, ku brenda 10-15 minutave merret rezultati. Ne po shpresojmë që gjatë kësaj jave të marrim sasinë e parë të testeve dhe sipas diskutimit me kryeministrin javën e kaluar, jemi zotuar se testet e para do t’i bëjmë te punëtorët e komunës. Ne tash e kemi situatën jo të mirë në komunën e Prishtinës, 18 punëtorë shëndetësorë nga QKMF dhe nga qendra kryesore janë të infektuar me Covid-19, ndërsa 54 tjerë në vetëizolim, në anën tjetër në Komunë të Prishtinës veç se i kemi 3 persona pozitivë, jemi duke i respektuar vendimet e qeverisë për reduktim të stafit, në mënyrë që pjesa e stafit tjetër të mos preket”, ka thënë ai.

Nushi, thotë se përkundër rritjes së numrit të personave të infektuar kjo komunë është në gjendje të menaxhojë situatën

Ai ka folur edhe për rikthimin e kufizimit të lëvizjes dhe mbylljes së gastronomisë prej orës 21:00 deri në ora 05:00, Nushi e deklaroi  se do të sjellë probleme për ekonominë kufizimi gastronomisë.

“Numri këto 2 javë është në rritje e sipër, jemi në gjendje të menaxhojmë situatën për kundër rritjes së numrit, por që deri te kjo rritje ka ardhur nga mosrespektimi i rekomandimeve. Andaj ne vet si qytetar kemi ardhur te kjo situatë, kur kemi pasur obligim vetëm 2 masa t’i aplikojmë bartja e maskave dhe respektimi i distancimit social prej 1 metër e gjysmë deri në 2 metër. Masat të cilat kanë hyrë në fuqi me vendim të Qeverisë, do të shkaktojnë probleme në ekonominë e qytetit posaçërisht në pjesën e gastronomisë, por që të gjitha këto masa që kanë filluar të aplikohen, janë më tepër masa restriktive dhe nuk e kanë atë karakterin struktë…Pas 2 jave po presim që të ketë stabilizim të numrit të të infektuarve, duhet të mësohemi me këtë virus”, deklaroi ai.

Nushit për shkak të buxhetit të kufizuar të komunës ftoi qytetarët që të organizohen vet dhe të dezinfektojnë hyrjet e banesave.

“Këto lloje të dezinfektimeve në banesa, ndërtesa të cilat janë me numër të madh nuk janë të parapara sepse duhet të ndahen mjete buxhetore nga rishikimi i buxhetit për të cilat duhet të jemi të sinqertë se nuk i kemi ato mundësi që i kemi pasur në muajin mars, prill, maj, duke u bazuar në vendimin e komisionit rregullativ të prokurimit publik, i cili na pati lehtësuar nënshkrimin e kontratave me operatorët ekonomikë në procedurë shumë të shpejtuar, tash më ai vendim është shfuqizuar. Prandaj edhe sikur të dalim tash me tender, ai zgjat dhe nuk kemi mundësi të intervenojmë shpejtë. Qytetarët mund të organizohen vet përmes kompanive të caktuara. Ne jemi duke e bërë dezinfektimin e objekteve të Komunës së Prishtinës, por tash për tash për objekte banesore nuk janë të parapamë mjetet e mjaftueshme për dezinfektim”, përfundoi ai.

Ndryshe, Prishtina është bërë qyteti i parë vend që ka tejkaluar shifrën e mbi 1 mijë rasteve pozitive me COVID-19. /Insajderi.com/