Bukoshi për aktakuzat nga Specialja: Udhëheqësit e UÇK-së nuk mund të bëhen sot ushqim për politikat e ditës në Kosovë

Bukoshi për aktakuzat nga Specialja: Udhëheqësit e UÇK-së nuk mund të bëhen sot ushqim për politikat e ditës në Kosovë

Ka reaguar edhe Bujar Bukoshi, dikur kryeministër i Kosovës, pas njoftimit për dorëzimin e aktakuzave ndaj disa ish drejtuesve të UÇK-së.

Ai, në një deklaratë të tij, ka thënë se ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të sakrifikohen për politikat ditore në Kosovë, Serbi a perëndim, njofton Insajderi.

Sipas Bukoshit, me aktakuzat e fundit për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, politika po e përdorë drejtësinë, por “Kosova është mësuar t’ia dal sa herë drejtësia ka qenë mjet politik kundër shqiptarëve”.

“Në Kosovë dështoi drejtësia e importuar nga Perëndimi në emër të shtetit të së drejtës, dhe po ashtu do të dështoj drejtësia e eksportuar në perëndim, në emër të ndëshkimit të shqiptarëve.  UÇK dhe udhëheqësit e saj, nuk mund të bëhen sot ushqim për politikat e ditës në Kosovë, Serbi, por dhe në Perëndim”, shkruan Bukoshi.

“Kush mendon se duke përdorur Gjykatën Speciale, mund të diktojë politikën në Kosovë, dëmton edhe drejtësinë edhe politikën”.

Bujar Bukoshi ka qenë kryeministri i parë i Kosovës që udhëhoqi institucionet paralele të shtetit të Kosovës, themeluar nga Ibrahim Rugova, deri në çlirimin e saj.

Më pas ai ka qenë deputet, zëvendëskryeministër dhe ministër në qeveritë e pasluftës./Insajderi.com