Nekropolitika

Ymeri çuditet me ata që iu gëzuan lajmit për infektimin e Isa Mustafës me COVID-19

“Nuk mund të ketë politikë pa komponenten e njerëzores. Aq më pak mund të ketë politikë progresive po nuk qe ajo njëkohësisht edhe humaniste. Pa komponentën e njerëzores politika shndërrohet në administrim të hekurt burokratik të numrave, si dhe vetëm në aktivitet gllabërimi të të mirave ddhe privilegjeve”.

Ymeri çuditet me ata që iu gëzuan lajmit për infektimin e Isa Mustafës me COVID-19

Visar Ymeri është shprehur i befasuar me ata njerëz që e përziejnë kundërshtimin politik, me urrejtjen njerëzore.

Ai ka komentuar, pa përmendur emra të dikujt, ata që siç thotë Ymeri mund t’i jenë gëzuar lajmit se Isa Mustafa është infektuar me Coronavirus.

“Asnjë lajm për këdo të infektuar me Covid-19 nuk është i mirë. As ky i sotmi për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa”, shkruan Ymeri në Facebook, njofton Insajderi.

“Në momente si ky reagimi i vetëm që do të duhej të vinte nga kushdo që i mendon me i shkru dy rreshta është urimi për shërim të shpejtë e tejkalim të sëmundjes pa pasoja. Jo vetëm atij por secilit të infektuar”.

Siç thotë Ymeri “politikisht mund të kesh, siç kam edhe unë, mospajtime me Isa Mustafën e LDK-në. Mirëpo t’i gëzohesh sëmundjes së dikujt vetëm pse e ke kundërshtar politik shkon shumë larg normales, arsyes e njerëzores. I afrohet nekropolitikës”.

“Secili reagim i gëzuar e me ngazëllim ndaj këtij lajmi është i papranueshëm. Secila heshtje ndaj këtyre reagimeve është miratim për to”.

“Nuk mund të ketë politikë pa komponenten e njerëzores. Aq më pak mund të ketë politikë progresive po nuk qe ajo njëkohësisht edhe humaniste. Pa komponentën e njerëzores politika shndërrohet në administrim të hekurt burokratik të numrave, si dhe vetëm në aktivitet gllabërimi të të mirave ddhe privilegjeve”.

“Fundja, politika është dhe duhet të jetë në shërbim të qenies njerëzore. Sepse nuk mund ta duash shoqërinë, pa e dashur njëkohësisht njeriun brenda asaj shoqërie. E nuk mund të bësh kurrë politikë pa e dashur shoqërinë të lirë e të barabartë”./Insajderi.com