"Veç llafe-kurrfarë veprimi"

Grenell fillon zënkë me Biden, për Kosovën

“Trump ka arritur rezultate, ndërsa Biden përsëri veç po flet siç ka bërë tash e 40 vjet”.

Grenell fillon zënkë me Biden, për Kosovën

Kandidati i demokratëve për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka përshëndetur rinisjen e dialogut Kosovë – Serbi dhe ka kritikuar administratën e Donald Trump për qasjen ndaj këtij problemi.

Por, atij, në Twitter, ia ka kthyer Richard Grenell, emisari special amerikan për Kosovën, duke i thënë se ai nuk ka shumë lidhje me këtë problem dhe se krejt çfarë bënë është të flas, pa dhënë zgjidhje konkrete, njofton Insajderi.

Sipas Grenell, Biden veç i ka bërë dëm Kosovë e Serbisë me këtë përmendje, sepse tash e bën çështje të politikës së brendshme amerikane, duke aluduar në atë se do ta shndërrojë në temë zgjedhore në zgjedhjet presidenciale atje”.

“Si zëvendëspresident, Joe Biden ka dashur që media ta portretizojë atë si njeriu kryesor i administratës për Punët e Jashtme, edhe pse sekretari i vet i mbrojtjes pati thënë se Biden “ka qenë gabim në gati të gjitha çështjet e mëdha në politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë kombëtare për rreth katër dekada”, shkruan Grenell në Twitter.

“Prandaj nuk duhet të na befasojë që sot Biden nuk bën asgjë tjetër pos u jep premtime të thata njerëzve në Kosove  Serbi”.

“Joe Biden sot i ka bërë negociatat mes dy palëve (Kosovës dhe Serbisë) çështje të politikës presidenciale në SHBA. Duke bërë kështu, ai bën që asgjë të mos lëvizë përpara para nëntorit dhe njerëzit në Kosovë e Serbi do të duhet të presin – përsëri – që politikanët të ndalojnë së përdoruri ata”.

“Ndryshe nga qasja ‘veç llafe-kurrfarë veprimi’ e Biden, administrata e Trump është koncentruar në hapin e parë të rëndësishëm përpara që është normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë. Prandaj presidenti Trump ka arritur negocimin e suksesshëm për tri marrëveshje”.

“Trump ka arritur rezultate, ndërsa Biden përsëri veç po flet siç ka bërë tash e 40 vjet”./Insajderi.com