Presidenti i Kosovës sot intervistohet në Hagë. Atij i është ngritur një aktakuzë nga Gjykata Speciale. Akuzohet për 100 vrasje, në një grup me Kadri Veselin dhe nëntë veta të tjerë. Insajderi.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Gjykatës. Ai është treguar diskret dhe fjalëpakë.
Hagë, 13 korrik – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të intervistohet sot, e hënë, nga Prokuroria Speciale për krime lufte më Seli në Hagë e cila ka ngritur një aktakuzë prej dhjetë pikash në Dhomat e Specializuara.
Para intervistimit të Thaçit në Hagë për Insajderi.com është prononcuar zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Christopher Bennet.
Ai nuk ka dashur të komentojë shume e as të japë detaje shtesë për intervistimin e Thaçit. Ka thënë se është vetë Thaçi që mund të japë detaje të tjera pas intervistimit, por Gjykata nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
“Për këtë çështje i vetmi burim i informacionit është Hashim Thaçi. Ne nuk kemi dhënë informacione të tjera dhe as nuk do ta bëjmë”, ka thënë Bennett, nga Zyra e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.
Thaçi për në Hagë ka udhëtuar dje, e diel, nga aeroporti “Nëna Terezë”, në Tiranë.
Interesimi për intervistimin e presidentit të Kosovës është shumë i madh nga mediat e huaja. Derisa ka pak media shqiptare që kanë udhëtuar për në Hagë që ta përcjellin atje këtë ngjarje.
Thaçi është personaliteti më i lartë që është ftuar për t’u intervistuar në Speciale, megjithatë nuk është i vetmi. Deri më tani janë rreth 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë intervistuar nga kjo gjykatë.
Për presidentin e vendit është ngritur një aktakuzë nga Gjykata Speciale e cila u bë publike muajin e kaluar, saktësisht me 24 qershor.
Ai, bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe nëntë persona të tjerë, të cilëve ende nuk u janë publikuar emrat, akuzohen për krime gjatë dhe pasluftës në Kosovë.
Sipas prokurorisë, akuza rëndon për 100 vrasje, rrahje, maltretime dhe veprime të tjera të kësaj natyre./Insajderi.com