Zgjedhjet në Maqedoni

Afrim Gashi për Insajderi.com: BDI-ja e ka radhën të shkojë në opozitë – Ne jemi zëri i popullit

Afrim Gashi: Ky është një ortek që sa vjen e rritet dhe nuk është më diçka që mund matet. Prandaj, pa dashur të bëj përkufizime statistikore, do të thosha se potenciali i koalicionit tonë është sa për ta bërë ndryshimin e madh e të shumëpritur te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Afrim Gashi për Insajderi.com: BDI-ja e ka radhën të shkojë në opozitë – Ne jemi zëri i popullit

Ka disa parti shqiptare që do të garojnë në zgjedhjet e 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut, por Afrim Gashi, kryetar i Alternativës, thotë se veç një ofertë përfaqëson zërin e popullit dhe është veç ajo që artikulon kërkesat e tij.

Alternativa e Gashit, e paprovuar në qeveri, në këto zgjedhje garon e bashkuar me Aleancën për Shqiptarët, e udhëhequr nga Ziadin Sela, një politikan mjaft popullor edhe në Kosovë.

Bashkim forcash që tenton bashkim elektorati, në një territor të komplikuar politik të cilin e dominon gati që dy dekada Bashkimi Demokratik për Integrim.

Afrim Gashi ka dhënë një intervistë ekskluzive për Insajderi.com dy ditë para zgjedhjeve atje. Ka thënë se preferencat politike të shqiptarëve në Maqedoni kanë ndryshuar – ndryshim që pritet të faktohet me votë.

Ofertat politike të partive më të vjetra – BDI’së e PDSH’së – i ka quajtur patetike, bashkimin e Lëvizjes Besa me LSDM-në maqedonase – “jugosllavizën i vonuar”.

Slogani i këtij bashkimi, që brenda e ka edhe alternativën edhe aleancën – të paktën në emër, është “Tash, është koha”.

Koha si realizim politik i shqiptarëve dhe “tash” si theksim i urgjencës për ndryshim.

Gashi në këtë intervistë ka folur edhe për përkrahjen e Albin Kurtit e Vetëvendosjes. Ajo, sipas Gashit, po vjen si mbështetje natyrale e dy forcave politike shqiptare që bëjnë luftën e njëjtë në hapësira të ndryshme.

Gashi në këtë intervistë ka folur edhe për rastin “Kumanova”, ofertën konkrete politike, planet qeverisëse dhe shumë çështje të tjera, që prekin jetën e shqiptarëve në Maqedoni.

 

Intervista:

Cili është potenciali i koalicionit Aleanca për Shqiptarët me Alternativën në këto zgjedhje?

Koalicioni “Tash është koha”, që është krijuar nga Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, në të vërtetë, është sinonim dhe artikulim i zërit të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut për ndryshim. Ndërkaq, kur flasim për potencën e popullit, ky është një ortek që sa vjen e rritet dhe nuk është më diçka që mund matet. Prandaj, pa dashur të bëj përkufizime statistikore, do të thosha se potenciali i koalicionit tonë është sa për ta bërë ndryshimin e madh e të shumëpritur te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

 

Si e shihni koalicionin në mes të LSDM-së dhe BESA-së. A po promovohet një frymë ndër-etnike e bashkëpunimit në Maqedoninë̈ e Veriut?

Mendoj se koalicionet e tilla janë një jugosllavizëm i vonuar, që synohet të shitet me gjuhë të re të shoqërive multietnike. Derisa maqedonasit i bllokojnë partitë shqiptare nëpër vendbanimet maqedonase, futja e partive maqedonase nëpër vendbanimet shqiptare është synim për asimilim të tërthortë të shqiptarëve, për t’i kthyer në gjendjen ku relativizohet identiteti kombëtar dhe një subidentitet shndërrohet në identitetin e parë. Ndarja etnike e skenës politike të Maqedonisë së Veriut flet për një realitet shoqëror binacional, që do të duhej të reflektohet në një ridefinim edhe të dokumenteve themelore shtetërore ose në “shtet për të gjithë”, siç e kemi emërtuar ne programin tonë zgjedhor, për ta sintetizuar paradigmën e barazisë së synuar.

 

Është një kohë e gjatë e BDI-së në pushtet. Ajo prej kohësh është partia e parë mes shqiptarëve në Maqedoni, pse duhet të jetë ndryshe tani?

Në demokraci kalimi nga pozita në opozitë është rimarrje e fuqisë dhe në parim është i shëndetshëm. Qëndrimi në pushtet për gati 18 vjet pa dhënë rezultate të mira dhe synimi për ta mbajtur pushtetin me mjete jodemokratike, detyrimisht prodhon irritim, i cili shfaqet si reaksion popullor. Prandaj, ajo parti e ka radhën të shkojë në opozitë. E nëse e shtrojmë çështjen se cilat janë arsyet pse ajo parti duhet të shkojë në opozitë, unë po jua përmend vetëm një gjë, që ta kuptoni: edhe në këtë fushatë, pra pas 18 vjetëve të pushtetit të asaj partie, shumica e temave që i kemi diskutuar kanë qenë uji i pijshëm, kanalizimi, asfaltimi i rrugëve dhe ndriçimi. E të mos flasim për shkollat, ambulancat e të mos hyjmë fare te drejtësia. Janë një mal arsyesh, por arsye themelore është se ajo parti, me këtë përfaqësim që ka, nuk ka potencë që të mbrojë asnjë kauzë dhe nuk mund të shtyjë asnjë agjendë kombëtare. Me fjalë të tjera, ajo sot më shumë është një ndërmarrje aksionare sesa një parti politike.

 

A mund të realizohet ideja e kryeministrit të parë shqiptar e promovuar nga BDI?

Posti i kryeministrit shqiptar asnjëherë nuk ka qenë i penguar nga askush në vendin tonë. Madje, më 2014 partia për të cilën po flasim kishte 153 vota, por as që i shkonte ndër mend të flasë për këso tema. Ajo parti i ka pasur dhjetëra ministra, por kjo na ka prodhuar qindra dështime.
Sidoqoftë, është banale të arsyetohet se a mundet a nuk mundet të bëhet kryeministri shqiptar, sepse për ne ideali shqiptar nuk sintetizohet në poste, por në të drejta. Në Jugosllavi edhe shqiptari Sinan Hasani u bë kryetar i Jugosllavisë, por kjo nuk ia lehtësoi burgun Adem Demaçit. Prandaj, ne nuk jemi për simbolikën, por jemi për substancën, nuk jemi për imazhin, por jemi për përmbajtjen. Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut u mungon barazia e plotë, sepse janë të diskriminuar për arsye etnike, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e vuajnë gjyqësorin e etnizuar maqedonas, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e vuajnë padrejtësinë sociale dhe ekonomike, andaj të mbulohet gjithë kjo me marifete të PR-it, mund të jetë e suksesshme si fushatë, që mashtron për të marrë vota, por në thelb është ofendim për inteligjencën tonë.

 

Keni marrë përkrahje nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. A mendoni që thirrja e tij publike në përkrahjen tuaj është dobiprurësë për koalicionin e Alternativës me Aleancën për Shqiptarët? 

Pasi e shtroni këtë pyetje, së pari dua ta falënderoj mikun tim, Albin Kurtin, për këtë mbështetje. Megjithatë, mendoj se mbështetja nga Albini nuk ka ardhur për shkak të njohjeve dhe miqësive personale, por sigurisht për shkak të interesave më të larta kombëtare. Albini tashmë është botërisht i njohur si militant i kauzës sonë kombëtare dhe jam i bindur se kjo ka qenë shtytja që ai të na mbështesë. Jam shumë i sigurt se kjo është pritur mirë nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe besoj se kjo do të ketë efektin e saj edhe në zgjedhjet e 15 korrikut.

 

Cili është plani juaj nëse jeni në pushtet për Grupin Kumanova?

Në programin tonë “Shtet për të gjithë” ne kemi thënë se drejtësia në Maqedoninë e Veriut duhet të ri-definohet, kjo përmes një asistence të një misioni të Bashkimit Europian. Për këtë arsye ne do të kërkojmë që rastet e montuara politike, për të cilat ne kemi dyshime, rrjedhimisht edhe ky rast, duhet të rishqyrtohen nga gjykatat e pavarura evropiane.

 

Si e shihni bashkëpunimin e Maqedonisë së Veriut me Kosovën, tani për tani?

Mendoj se bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është në rrugë të mbarë, edhe pse synimi ynë është që këto relacione të jenë edhe më të ngushta. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë lidhje të fuqishme me Kosovën dhe unë mendoj se komunikimi më i mirë dhe bashkëveprimi më i thelluar, sidomos në rrafshin kulturor, arsimor dhe, veçanërisht, në atë ekonomik, do të ishte një sukses i madh i këtyre marrëdhënieve. Si shenjë e vullnetit të mirë për këtë, ne në programin tonë kemi premtuar se gjatë mandatit tonë do të vjetrohet tema e rrugës Shkup-Bllacë, që do të jetë një lehtësim i madh për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave të të dyja vendeve tona.

 

Në një situatë ku pas zgjedhjeve jeni fituese në kampin shqiptar, keni vija të kuqe për ndonjë parti që të keni bashkëqeverisje?

Vijat e kuqe mund të jenë vetëm ndaj atyre që nuk e mbështesin programin tonë dhe që janë kundër parimeve tona të qeverisjes. Ne nuk i ndajmë partitë maqedonase në “më pak proshqiptare” dhe “më shumë proshqiptare”. Ne e marrim mandatin nga shqiptarët, ndërsa ata e marrin mandatin nga maqedonasit dhe pastaj ulemi e flasim. Natyrisht, ne nuk do të pranojmë të bashkëqeverisim me parti që shfaqin prirje antishqiptare vetëm sepse kemi fituar në zgjedhje, por as nuk e parapëlqejmë një parti kundrejt tjetrës. Ne e dimë çka duam. Pjesa tjetër janë bisedime dhe kompromise.

 

BDI thotë se po shkon në zgjedhje për ta fituar kryeministrin. PDSH për ta fituar zëvendëskryeministrin. Cili është synimi final, madhor, i koalicionit tuaj?

Për patetizmin e atyre partive nuk ia vlen as të flitet, sepse patetikja nuk meriton përgjigje serioze, ndërsa për atë se çfarë do të sjellim ne flet programi ynë. Ne vijmë me parimin “Shtet për të gjithë”, që nënkupton se shteti duhet t’u takojë të gjithëve njësoj. Dhe, kjo barazi nuk është vetëm politike, por aq më shumë ekonomike, kulturore, arsimore, shëndetësore dhe infrastrukturore. Po i përmend vetëm 3 gjëra në këtë kontekst: 500 milionë euro investime kapitale lokale për vendbanimet shqiptare, 25 mijë vende të reja pune për shqiptarët dhe rritje të rrogave për 20%. Ndërkaq familja shqiptare do ta rifitojë asistencën sociale për fëmijën e tretë.

Insajderi.com