Selimi: Hapat e Qeverisë Hoti në dialogun me Serbinë janë të gabueshëm

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi ka komentuar çështjen e dialogut.

Selimi: Hapat e Qeverisë Hoti në dialogun me Serbinë janë të gabueshëm

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se hapat e dialogut të Kosovës me Serbinë nga ana e kryeministrit Hoti janë të gabueshëm.

Selimi për kosovapress, tha se Kosova ka një pozicion shumë të pabarabartë me Serbinë si shkak se Qeveria Hoti vendosi ta largonte reciprocitetin me Serbinë të vendosur nga Qeveria Kurti.

“Hapat drejt këtij dialogu nga ana e Avdullah Hotit janë të gabueshëm. Ai po niset për të shkuar me këtë raport përballë Serbisë, përveç pa legjitimitet, pa plan, pa ekip, pa vizion dhe po ashtu pa mbështetjen e parlamentit të Kosovës. Kështu që Hoti nuk do të duhej të shkonte atje, jo vetëm në mungesë të këtyre faktorëve, por për shkak se Kosova e ka një pozicion shumë të pabarabartë përballë Serbisë. E këtë pabarazi e ka shtuar vet veprimet e Hotit i cili ka hequr masat e reciprocitetit që ka pranuar të shkojë i pabarabartë edhe normalisht dhe praktikisht përballë Serbisë. Ka hequr dorë nga barazia përballë Serbisë, këto janë parakushtet që ne nuk do të përballeshim me Serbinë me këto pozicione të pafavorshme për Kosovën”, ka thënë Selimi.

Lëvizja Vetëvendosje e quan Qeverinë Hoti si “jolegjitime”, kjo qeveri doli pas prishjes së koalicionit në mes të LVV-së dhe LDK-së dhe bashkëpunimit më pastaj të LDK-së me AAK-në e NISMA-n aprovuar nga Gjykata Kushtetuese. /Insajderi.com/