Hysni Gucati: Hashim Thaçi në Hagë ka ditur të mbrojë luftën e shenjtë

Hysni Gucati: Hashim Thaçi në Hagë ka ditur të mbrojë luftën e shenjtë

Nuk dihet se për çfarë është folur në procesin e intervistimit të presidentit Hashim Thaçi në Hagë, por kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, është i bindur se presidenti ka ditur të mbrojë vendin, lirinë dhe luftën çlirimtare, njofton Insajderi.

Ai në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se Thaçi është intervistuar për katër ditë rreth aktakuzës ndaj tij, meqë ishte lider i UÇK-së.

“Asnjë veterani deri më sot nuk i ka zgjatur intervista 4 ditë, por duke e ditur se ka qenë lider i UÇK-së, puna dhe vepra e tij është 20 vjeçare, e bujshme. Thaçi ka ditur të mbrojë vendin, lirinë e shenjtë të Kosovës, ka ditur të mbrojë pasi ka qenë bashkëpunëtor i komandantit Adem Jashari. Siç ka ditur Adem Jashari, ka ditur edhe Thaçi”.

Presidenti Thaçi, është kthyer pas katër ditësh qëndrimi në Hagë ku është marrë në pyetje nga prokurori i dhomave të specializuara për krime lufte./Insajderi.com