Efektet e krizës shkaktuar nga COVID-19, bien dukshëm remitencat

Efektet e krizës shkaktuar nga COVID-19, bien dukshëm remitencat

Deri në 14 për qind priten rënie e theksuar e të ardhurave nga diaspora si pasojë e pandemisë COVID-19. E kjo rënie pritet të vazhdojë deri në fund të vitit 2020, njofton Insajderi.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për Ekonomia Online, u shpreh se në muajt prill dhe maj kanë pranuar rreth 140 milionë euro, që wshtw dukshëm më pak krahasuar periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në muajt prill-maj kemi rreth 140 milionë euro ka qenë vlera e remitencave që janë pranuar në Kosovë, ndërkaq krahasuar periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka rënie deri në 14 për qind çka edhe presim që deri në fund të vitit të vazhdojë kësisoj”.

“Marrë parasysh faktin që edhe vendet që ne i presim remitencat janë goditur prej pandemisë. Nëse marrim si referencë, ne nuk mund ta krahasojmë krizën pandemike me krizën e vitit 2008, ku kemi pasur një krizë financiare, që kemi pasur rënie të remitencave deri në 5 për qind dhe ka vazhduar ndër vite”.

Kjo rënie pritet të shkaktojë dëme të mëdha në ekonominë e Kosovës thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

“Në secilin raport që vlerëson ekonominë, përfshirë edhe ato të organizatave kredibile ndërkombëtare siç është Banka Botërore, por edhe në deklaratat tona të përgjithshme si përfaqësues të sektorit privat, e kemi thënë vazhdimisht struktura ekonomike e vendit është relativisht e paqëndrueshme dhe varet në masë të madhe nga dërgesat nga diaspora”, u shpreh ai./Insajderi.com