Alban Krasniqi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe bashkëshorti i ish-ministres së Drejtësisë në Qeverinë Kurti, Albulena Haxhiu, ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe qytetarët të cilët dolën ta presin atë derisa po kthehej nga intervistimi në Tribunalin e Hagës.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi e ka quajtur “kryecub” të parin e shtetit, i cili sipas tij po kthehej nga gjykata të cilën e krijoi dhe ra në të vetë.
Ai tutje tha se personat të cilët kishin dalë dje në pikën kufitare në Morinë, për ta mirëpritur presidentin, nuk janë gjë tjetër veçse “një grusht injorantësh”.
“Populli din ta dallojë UÇK-në nga cubat që thirren në emër të saj. Andaj, i ka braktisur dhe së shpejti do u jap edhe shqelmin e fundit”, ka shkruar tutje Krasniqi.
Dje një grup i qytetarëve kanë dalë të presin në Morinë, presidentin e vendit, Hashim Thaçi, pas kthimit të tij nga Haga, ku u intervistua për katër ditë me radhë. /Insajderi.com/