Hoti: Për shkak të masave të marra nga Qeveria, numri i të infektuarve me Covid-19 po shënon rënie

Hoti: Për shkak të masave të marra nga Qeveria, numri i të infektuarve me Covid-19 po shënon rënie

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se numri i të prekurve me Covid-19 në vendin tonë, ka filluar të shënojë rënie si pasojë e masave të ndërmarra nga kjo qeveri.

Në debatin e organizuar nga Instituti, ku është duke u bërë prezantimi i raportit “Bashkëjetesa me COVID-19: Tri shtylla të rimëkëmbjes”, ngjarje kjo në të cilën po bën pjesë edhe kryeministri Hoti, ky i fundit tha se luftimi i pandemisë mbetet prioritet për qeverinë të cilën ai e udhëheq, njofton Insajderi.

Madje, Hoti u zotua se kanë filluar përgatitjet që të sigurojnë edhe 100 mijë teste serologjike, në rast se do të ketë valë të dytë të përhapjes së pandemisë Covid-19.

“Me gjasë po fillojmë një valë të dytë të pandemisa. Vlerësimet e ekspertëve shëndetësore thonë se mbyllja e tërësishme e njerëzve e ka parandaluar përhapjen e Covidit në mënyrë artificiale. Ne po bëhemi gati për numër shumë të madh të testimeve serologjike dhe virologjike”, ka thënë Hoti.

Ai tha se sapo të miratohet buxheti në Kuvendin e Kosovës do të procedohen edhe masat tjera të pakos fiskale dhe do të kompletohen pagesat.

“Ne presim që nëse nuk thellohet pandemia do të përmbyllim vitin me 2.3 rënie të ekonomisë në vend… ne presim që këtë vit dhe të ardhshmin të mobilizojmë 1.2 miliardë euro fonde”, ka shtuar Hoti. /Insajderi.com/