Pas rifillimit të dialogut, në Serbi po besojnë që çështja e të pagjeturve – tejet e rëndësishme për palën kosovare – do të trajtohet më kualitativisht dhe në nivel më të lartë.
Të paktën, kështu ka thënë Veljko Odaloviq, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, shkruan Tanjug, njofton Insajderi.
Odaloviq ka deklaruar se “me vazhdimin e dialogut çështja e personave të pagjetur do të trajtohet në një cilësi më të lartë”.
Ai më tej kë shtuar se është tejet e rëndësishme që dialogu ka ri-filluar dhe se janë eliminuar pengesat që e patën bllokuar për një kohë rreth dy vjeçare.
Për të pagjeturit është diskutuar në takimin e fundit në Bruksel, në mes të Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Hoti kishte deklaruar edhe para takimit se kjo çështje do të jetë një nga temat e bisedimeve, ndërsa Vuçiq, me të dalë nga takimi i përbashkët ka thënë se janë të gatshëm të angazhohen në këtë temë./Insajderi.com