Periudha e verës në rajonin më të gjerë të Pollogut zakonisht nga të rinjtë shfrytëzohet për të dalë me motoçikleta. Kryesisht janë të rinj të cilët pa asnjë dokument adekuat, pa maska mbrojtëse në fytyrë bëhen pjesë e komunikacionit. Kjo shpesh herë ka qenë fatale për ata. Rasti i fundit u regjistrua para tre ditëve më të riun nga fshati Pallaticë i Komunës së Zhelinës, i cili humbi jetën në një aksident trafiku pikërisht me motoçikletë, njofton Insajderi.
Rastet e këtilla janë regjistruar edhe viteve të kaluara, sidomos ku më të rrezikshme janë rrugët rajonale dhe ato lokale ku ka më pak prezencë të policisë.
Përmirësimi i kushteve klimatike ka bërë që në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit ndjeshëm të rritet prezenca e motoçiklistëve, kryesish në orët e vona të pasdites dhe gjatë mbrëmjeve.
Zakonisht këta të rinj të pakujdesshëm qarkullojnë pa respektuar shenjat e komunikacionit apo rregullat për pjesëmarrje në trafik.
Policia e Tetovës duke parë këtë situatë në terren me mosrespektimin e rregullave për pjesëmarrje në trafik, kërkon që të rinjtë të mos bëhen pjesë e komunikacionit pa leje adekuate.
“Sektori për punë të brendshme në Tetovë apelon motoçiklistët që detyrimisht të posedojnë patentë adekuate për vozitje, gjegjësisht kategorinë e posaçme M ose kategorinë A, në kohë të regjistrojnë motoçikletat ose nëse kemi të bëjmë me kategoritë e vogla të motoçikletave, të vazhdojnë polisën e sigurimit dhe të shfrytëzojnë pajisjet mbrojtëse si veshjet për motoçiklistë dhe helmetat mbrojtëse” deklaroi zëdhënësi i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Në ndërkohë, një problem në vete është se këta pjesëmarrës në komunikacion vozisin me shpejtësi më të madhe se ajo e lejuara.
Policia në këtë drejtim kërkon më shumë kujdes.
“Motoçiklistët gjithashtu paralajmërohen që të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës dhe të mos lëvizin paralelisht njëri pranë tjetrit, po njëri pas tjetrit. Krahas kësaj, të mos barten në motoçikletë më shumë persona prej asaj që është e lejuar dhe të mos lëvizin pa pajisjet adekuate mbrojtëse”, thotë zëdhënësi Rexhepi, shkruan Insajderi.
Nga ana tjetër, policia thotë se ka shtuar masat ndaj kësaj kategorie që shkaktojnë shumë telashe me pjesëmarrjen e tyre në komunikacion.
“Sektori për punë të brendshme në Tetovë, gjatë muajit që kaloi dhe këtij muaji, i ka përforcuar aktivitete kontrolluese në rajonin më të gjerë të Tetovës dhe Gostivarit, ku theks i veçantë është vendosur pikërisht tek motoçiklistët të cilëve për çdo ditë ju përgatiten parashtresa adekuate, ku më së shumti kemi të bëjmë me mos përdorimin e pajisjeve mbrojtëse, duke përmendur se gjoba në para për këtë lloj të shkeljes është 50 euro në kundërvlerë të denarit”, pohon zëdhënësi Fatmir Rexhepi./Insajderi.com