Sipas LSDM-së, qytetarët në zgjedhje sollën vendim të rëndësishëm, ndërsa sipas VMRO-DPMNE-së, pushteti ka bërë falsifikim zgjedhor.
Negociatat për formimin e Qeverisë së re do të fillojnë pas Ilindenit, shkruan Gazeta Online Insajderi.
Atëherë, në pajtim me afatet ligjore, siç kumtoi LSDM, do të startojë procesi i definimit të koalicionit, njofton Insajderi.
Bashkimi Evropian pret koalicion qeveritar stabil dhe Parlament të fuqishëm. Këtë e porositi dje, para eurokomisarit për zgjerim, Olivér Várhelyi dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borel.
“Duke e pasur parasysh periudhën e kaluar të mbushur me krizën e Coronavirusit dhe fushata parazgjedhore, SDM angazhohet në ditët rreth Ilindenit qytetarët të marrin frymë nga aktivitetet politike të partive. Pas Ilindenit, në pajtim me afate ligjore, hyjmë në proces të definimit të koalicionit qeveritar të kryesuar nga LSDM-ja. Afatet ligjore do të respektohen në tërësi, shteti do të bëhet me institucione funksionale dhe legjitime”, kumtoi dje LSDM dhe informoi se prej sot, lideri i partisë, Zoran Zaev do t’i shfrytëzojë ca ditë pushim.
Mandati për konstituimin e Qeverisë, sipas LSDM-së, është tek Zoran Zaev i cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Por, nga qëllimi për të formuar qeveri nuk heqë dorë as VMRO-DPMNE.
Siç deklaroi lideri i partisë, Hristian Mickoski, në konferencën e parë për shtyp pas zgjedhjeve, VMRO-DPMNE e ka kredibilitetin më të madh për të luftuar për konstituimin e qeverisë së re.
BDI, nga ana tjetër, e përsëriti kushtin se do të pranojë koalicion vetëm nëse kryeministri është shqiptar.
Dje erdhi edhe reagimi i parë nga BE-ja për zgjedhjet, përmes eurokomisarit për zgjerim, Oliver Várhelyi dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borel.
Bashkimi Evropian, siç qëndron në kumtesën e përbashkët të Várhelyi dhe Borelit, pret Parlament të fuqishëm dhe koalicion të fuqishëm.
Unioni njëherësh i përgëzon qytetarët që e shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës edhe krahas krizës me Coronavirusin.
“Presim që të punojmë me një parlament të fortë dhe një koalicion të qëndrueshëm qeveritar që duhet të përmbushë qëllimet strategjike të vendit të integrimit në BE dhe të përmbushë pritjet e qytetarëve”, thanë Varheji dhe Borrell në një deklaratë të përbashkët.
Përmes Twitter-it u paraqit edhe ish-kryeministri dhe lider i SYRIZË-s, Aleksis Cipras, duke i dërguar përgëzime për fitoren Zoran Zaevit.
Koment erdhi edhe nga Sektori për çështje ndërkombëtare dhe evropiane të partisë opozitare greke.
“Përgëzime Zoran Zaev. Falë angazhimeve tua, mesazhi i forcave të guximshme dhe progresive që luftojnë kundër nacionalizmit, për drejtësi shoqërore dhe paqe në rajonin tonë, sot u bë më i fuqishëm. Mesazh jo vetëm për Ballkanin, por edhe për mbarë Evropën”, shkroi Cipras, njofton Insajderi.
Me vlerësim për zgjedhjet dje doli edhe asociacioni qytetar MOST.
Sipas MOST-it, zgjedhjet kaluan në atmosferë të drejtë dhe demokratike. Qytetarët sërish morën pjesë në proces zgjedhor në të cilin lirisht mundën ta shprehin vullnetin e tyre.
Administrata zgjedhore e zbatoi në mënyrë efikase votimin nën protokolle të posaçme shëndetësore për shkak të pandemisë me COVID-19 me çka qytetarët mundën lirisht ta realizojnë të drejtën e tyre të votës.
Për sulmin hakerik ndaj ueb-faqes së KSHZ-së për rezultatet nga zgjedhjet, nëse konsiderohet koha në të cilin u bë ky sulm, jep indikacione për dyshim se u punua për tentim të planifikuar paraprakisht për mosbesim në procesin zgjedhor, vlerëson MOST.
Nuk ndaluan as reagimet partiake.
Sipas LSDM-së, qytetarët në zgjedhje sollën vendim të rëndësishëm, ndërsa sipas VMRO-DPMNE-së, pushteti ka bërë falsifikim zgjedhor.
Zgjedhjet u mbajtën më 15 korrik ndërsa sipas rezultateve përfundimtare jozyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM i fitoi 46 deputetë, VMRO-DPMNE dhe të tjerë 44, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) 15, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E Majta dy dhe PDSH një mandat.