Hoti: Rreth 56% e ndërmarrjeve janë mbyllur gjatë kohës së pandemisë

Hoti: Rreth 56% e ndërmarrjeve janë mbyllur gjatë kohës së pandemisë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se rreth 56 përqind e ndërmarrjeve janë mbyllur gjatë kohës së pandemisë, si pasojë e masave të qeverisë për mbyllje totale përgjatë muajve të parë të paraqitjes së rasteve me Covid-19.

Gjatë debatit të zhvilluar sot nga Instituti Riinvest, ku u prezantua edhe raporti “Bashkëjetesa me Covid-19: Tri shtylla të rimëkëmbjes”, Hoti tha se deri më sot janë bërë pagesa deri në 80 milionë në bazë të pakos fiskale, duke shtuar se sapo të miratohet buxheti në Kuvendin e Kosovës, do të procedohen edhe pagesat e tjera.

“Na është dashur të marrim disa vendime për kufizim të aktiviteteve në disa sektorë, në veçanti në gastronomi. Për sa i përket krijimit të kapaciteteve të institucioneve shëndetësore e kemi centralizuar mënyrën se si po menaxhojmë këto kapacitete, kemi hyrë në proces të riorganizimit të plot të klinikave në kuadër të Shërbimit Spitalor duke i kthyer këto klinika maksimalisht në funksion të ofrimit të shërbimit të personave të prekur me Covid. Kemi krijuar kapacitete shtesë në regjione, nëpër spitale regjionale”.

“Rreth 56 përqind të ndërmarrjeve gjatë kohës së pandemisë janë mbyllur ose për shkak të mungesës së klientëve ose për shkak të vështirësive për të kryer pagesat e nevojshme, por në veçanti për shkak të masave të qeverisë që janë marrë gjatë muajve të mbylljes totale…Tash ne gjendemi e kemi gjetur kështu me një listë të masave të pakos emergjente e cila është vlerësuar në total prej 179, 6, pra 180 milionë euro për 15 masa të dizajnuara nga qeveria paraprake. Numri i aplikantëve prej secilës prej tyre dhe shuma që është kërkuar për të kompensuar shkon në 180 milionë euro. Disa nga këto masa janë zbatuar plotësisht disa janë zbatuar pjesërisht, disa ende nuk kanë filluar të zbatohen për shkak se nuk ka ndodhur rishikimi i buxhetit. Deri më tash janë bërë pagesa deri në 80,4 milionë euro, derisa të procedohet pjesa tjetër sapo të miratohet buxheti në Kuvendin e Kosovës. Numri i personave të përfshirë në masa është bukur i madh”, ka deklaruar Hoti.

Hoti gjatë këtij debati tha se pret që këtë vit dhe atë të ardhshëm do të mobilizojnë fondet prej 1,2 miliardë euro. /Insajderi.com/