Situata me Covid-19 në komuna është e menaxhueshme, kërkohet shtim i stafit shëndetësor

Situata me Covid-19 në komuna është e menaxhueshme, kërkohet shtim i stafit shëndetësor

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se situata me pandeminë Covid-19 nëpër komunat e Kosovës është e menaxhueshme.

Madje, ai ka shtuar se në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, udhëheqësit e komunave të Kosovës i kanë dhënë përkrahje kreut të Qeverisë për të gjitha masat që mund të merren me qëllim të shpëtimit të jetës së qytetarëve.

“Të gjithë së bashku mendojmë që situata me Covid-19 në komunat e Kosovës është e menaxhueshme. Kështu që nuk ka ndonjë për problem në menaxhimin e situatës. Bashkëpunimi me nivelin qendror në përgjithësi është korrekt. Asociacioni i Komunave të Kosovës është duke bashkëpjesëmarrës në takimet e komunitetit antiCovid-19, i cili është duke u kryesuar nga ministri Armend Zemaj dhe bashkë-kryesuar nga kryeministri Hoti”, deklaron ai për KP.

Një nga kërkesat e komunave të Kosovës është rritja e numrit të stafit shëndetësor adekuat, meqë shumë prej tyre tani më janë prekur nga koronavirusi.

“Duke marrë parasysh që nga fillimi i muajit korrik numri i të infektuarve është në rritje e sipër dhe duke marrë parasysh që në bashkëbisedim që kemi pasur me drejtorët komunalë për shëndetësi, përkatësisht kolegjiumin tonë profesional të shëndetësisë, thuhet që një përqindje e caktuar e mjekëve në QKMF është i infektuar me Covid-19, pasi që të gjithë mjekët janë në vijë të parë frontit duke i ndihmuar qytetarëve. Dhe për këtë arsyeje edhe në bazë të analizës së Asociacionit të Komunave të Kosovës që është bërë në të gjitha komunat, kërkohej që rritja e numrit të stafit adekuat, në mënyrë që të përballen me pandeminë Covid-19”, tha Ibrahimi.

Nga nesër Komuna e Prishtinës do të fillojë me testimet serologjike, ndërsa Ibrahimi thotë se shpejt këto testime mund të bëhen edhe në komunat tjera. /Insajderi.com/