Shpend Ahmeti shpjegon procedurën e testimeve me Covid-19 në Komunën e Prishtinës

Shpend Ahmeti shpjegon procedurën e testimeve me Covid-19 në Komunën e Prishtinës

Përmes një statusi në Facebook kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shpjeguar proceduar e testimeve për Covid-19 që do të fillojë nga nesër t’i bëjë Komuna e Prishtinës, njofton Insajderi.

Sipas Ahmetit, edhe përkundër faktit që nga nesër fillohet me testimin seriologjik (me gjak), prapë metoda e PCR (me strishë në hundë) është më e sigurta dhe kjo bëhet vetëm në IKSHPK.

“Testimi me metodën PCR (me strishë në hundë) bëhet vetëm në IKSHPK (nga institucionet publike). Edhe më tutje është forma më e sigurt për të konstatuar se a e keni virusin sot apo jo. Komuna e Prishtinës NUK e bën këtë test dhe nuk ka rol në përcaktimin se kush testohet apo jo.

Testimi serologjik (me gjak) ELISA është test që mat antitrupat. Pra në qoftë se virusi ka sulmuar trupin, trupi i kundërpërgjigjet me mbrojtje (antitrupat) dhe ekzistenca e tyre dëshmon që jeni prekur nga virusi. Meqenëse antitrupat paraqiten në fazë të ndryshme të infektimit është e pamundur të verifikohet me saktësi se a e keni momentalisht.

Prandaj, ky test NUK e zëvendëson testimin PCR dhe testimin që momentalisht bëhet në IKSHPK. Por tregon mjaftueshëm informatë për imunitetin e ndërtuar dhe po ashtu për të vërtetuar që nuk e keni pas në të kaluarën”.

MË PAS Ahmeti ka thënë se përparësi me testimin seriologjik (me gjak) do të kenë ata që kanë simptoma të theksuara.

“Këtë test prej nesër e bën Komuna e Prishtinës në një lokacion pasi të referohet nga mjekët e QMF. Meqenëse kapacitetet në fillim janë të limituara, dhe meqenëse qëllimi nuk është i diagnostifikimit për me hjek brengën, atëherë prioritet të testimit do të kenë qytetarët me simptome të theksuara dhe në mesin e tyre të moshuarit dhe ata me sëmundje shoqëruese”.

Në fund Ahmeti ka renditur edhe udhëzimet që qytetarët duhet të vazhdojnë t’i ndjekin edhe më tutje.

Udhëzimet

  1. Maska dhe distanca;
  2. Në rast të simptomave, konsultohuni me mjekun tuaj në QMFnë e lagjes suaj. Këtë mundeni ta bëni në telefon;
  3. Në rast të simptomave serioze, orientoheni edhe të QMFtë edhe mund të lajmëroheni në urgjencë;
  4. Në qoftë se jeni i moshuar, apo me sëmundje shoqëruese, dhe me dyshime se keni virusin, lajmërohuni në QMF-në më të afërm për referime të mëtutjeshme. Komuna e Prishtinës do të testojë me prioritet këto raste;
  5. Mos u drejtoni te QMF-të në qoftë se keni nevojë me u testu veç sa me hjek brengen;
  6. Në qoftë se ju nevojitet vërtetim për udhëtim në shtetet që kërkojnë dëshmi, për momentin asnjëri vërtetim nuk vlen dhe po ashtu nuk do të ishte mirë që për këtë arsye të zihet vendi i dikujt që ka nevojë./Insajderi.com