GLPS: Heshtja e Prokurorisë së Shtetit për situatën në Telekom, tregues i kapjes kriminale të ndërmarrjes

GLPS: Heshtja e Prokurorisë së Shtetit për situatën në Telekom, tregues i kapjes kriminale të ndërmarrjes

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPD) kanë reaguar në lidhje me situatën që është krijuar në Telekomin e Kosovës, ndërmarrje kjo e cila është pranë bankrotimit, ndërsa dikur ishte ndërmarrja më profitabile publike.

Sipas GLPS, edhe pse sektori i telekomunikimit ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe stabile të profitit në tërë shtetet evropiane, si në rastet e kapitalit privat ashtu edhe atij publik, Telekomi i Kosovës së fundmi është sjellë afër bankrotimit, ndër të tjera, nga zbatimi i një vendimi arbitrazhi të operatorit Zmobile (e më herët, Dardafone.net) në dëm të Telekomit.

“GLPS në vazhdimësi ka vlerësuar që nënshkrimi i atëhershëm i kontratës ndërmjet PTK dhe Dardafone.net (viti 2009) kishte qëllim të qartë degradimin financiar e tregtar të kompanisë publike Telekomi i Kosovës, dhe një gjë e tillë u pa katërcipërisht nga mënyra e fitimit dhe vëllimi i shfrytëzimit që i bëhej asetit publik nga një operator privat ndër vite. Në këtë situatë, ndodhemi para paradoksit kur, në vend se të kërkohet përgjegjësi penale për shkaktarët e lidhjes, vazhdimit dhe shfrytëzimit të benefiteve nga kontrata ndërmjet PTK dhe Dardafone.net, Telekomi i Kosovës i duhet të paguaj një dëm të vendosur nga një proces arbitrazhi në vlerë prej 24 milione EUR operatorit privat Zmobile”, thuhet në reagim.

Siç thuhet në kumtesën e këtij grupi, një gjendje e tillë ka ardhur si pasojë e dështimit të qëllimshëm të Prokurorit të Shtetit.

“E pyesim Kryeprokurorin Lumezi se çfarë duhet t’i bëjnë më tepër një aseti publik sikur Telekomi i Kosovës që Prokuroria Publike të hetoj dhe vej para përgjegjësisë penale të gjithë shkaktarët që e sollën këtë gjendje, prej ministrave të atëhershëm e gjerë më sot, e gjithashtu menaxhmenteve respektive të Telekomit të Kosovës? Si është e mundur që Telekomi në vend se të jetë ndërmarrja më e suksesshme publike për shkak të statusit të saj në treg, ajo vendoset në një situatë bankrotimi, e ku Prokurori i Shtetit hesht sikur interesi publik i sanksionuar me legjislacionin penal të mos ekzistonte? Si është e mundshme që zhvatja e aseteve publike të ndodh kaq tmerrshëm, e institucionet publike të bëjnë sikur nuk ka autorë ndaj kësaj gjendjeje?”, vijon GLPS.

E njëjta organizatë i kërkon Prokurorit të Shtetit që të nis një proces hetimi ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në lidhjen, zbatimin dhe mosveprimin e parandalimit të kontratës së vitit 2009; ndaj të gjithë atyre që lejuan zhvatjen e një aseti publik sikur Telekomi i Kosovës, dhe që e sollën atë në një gjendje para bankrotimit.

Po ashtu, i kërkohet Qeverisë, dhe kryeministrit Hoti, që në vend se të merret me planet e privatizimit të pjesshëm, të kontribuojë fillimisht në një proces penal të ndëshkimit për ata që e sollën këtë gjendje. /Insajderi.com/