Vrasja në Fushë Kosovë: Dyshohet se dorasi dhe viktima kanë lidhje familjare

Vrasja në Fushë Kosovë: Dyshohet se dorasi dhe viktima kanë lidhje familjare

Një 72 vjeçar është vrarë me një mjet të fortë nga një 40 vjeçar, sot, e hënë, rreth orës 17:00, në Fushë Kosovë.

Ende nuk janë dhënë të gjitha detajet, por zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, në një paraqitje para mediave, ka pohuar se “mund të deklaroj se ekziston dyshimi që dorasi dhe viktima kanë lidhje familjare”.

Dyshohet se kjo lidhje është babë e djalë. Djali dyshohet ta ketë vrarë babanë e tij me një mjet të fortë – sëpatë. Gjithsesi, këto dyshime ende nuk janë konfirmuar nga forcat e rendit.

Në një komunikim për Insajderi-n, Hoxha ka deklaruar  “policia ka pranuar një informatë se në Fushë Kosovë ka ndodhur një vrasje. Për rreth 5 minuta njësitet policore kanë arritur ne vendin e ngjarjes, ku edhe kanë arritur të arrestojnë një person të dyshuar”.

Hoxha ka shtuar edhe se “njësitet relevante kanë dalur ne lokacion dhe hetime të mëtejme janë në proces për të sqaruar rrethanat tjera të rastit”.

I pyetur përsëri për dyshimet e përdorjes së sëpatës në vrasje, Hoxha ka refuzuar të japë më shumë detaje – derisa është shprehur i rezervuar edhe në pyetjen se a bëhet fjalë për një vrasje të babait nga i biri.

“Sipas informatave fillestare, mosha e viktimës është 72 vjeçar dhe ekziston dyshimi se viktima dhe i dyshuari janë në lidhje familjare. Aktualisht në vendin e ngjarjes janë të gjitha njësitë dhe dyshohet se në kryerjen e veprës është përdorur një mjet i mprehtë”, ka deklaruar Hoxha./Insajderi.com