30 të moshuar dhe nëntë punëtorë të infektuar me coronavirus në shtëpinë e pleqve

30 të moshuar dhe nëntë punëtorë të infektuar me coronavirus në shtëpinë e pleqve

30 banorë të moshuar dhe nëntë anëtarë të stafit shëndetësor në Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë, kanë rezultuar pozitivë me Coronavirus.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është bërë e ditur se një banor i kësaj qendre ka pasur simptoma të Covid-19, I cili më datë 17 korrik edhe ka rezultuar pozitiv me këtë virus.

Pas njoftimit se një person është prekur nga kjo sëmundje, janë testuar të gjithë banorët dhe poashtu stafi profesional, ku pas marrjes së mostrave, 30 banorë rezidentë dhe 9 anëtarë të stafit shëndetësor kanë rezultuar pozitiv me COVID-19

Tutje, MPMS ka bërë të ditur se dy nga të infektuarit janë në gjendje më të rëndë dhe të izoluar në hapësira të veçanta, njëri prej tyre është tashmë i hospitalizuar në SHSKUK, ndërsa 27 banorët tjerë të cilët nuk kanë simptoma, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të izoluar në dhomat e Shtëpisë së të Moshuarve dhe gjithashtu, stafi janë në vetizolim në shtëpitë e tyre.

“MPMS në bashkëpunim me MSH dhe IKSHP janë duke ndërmarrë të gjitha masat që personave të moshuar t’iu ofrohet ndihma mjekësore për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për kujdes intensiv, por gjithashtu edhe për personat tjerë rezidentë të cilët nuk janë të prekur me COVID 19. Në funksion të kësaj, MPMS në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë janë duke u angazhuar për të siguruar një ekip mjekësor, të cilët në mënyrë permanente do të jenë në shërbim të banorëve të Shtëpisë së Personave të Moshuar në Prishtinë, deri në tejkalimin e kësaj situate.”, thuhet tutje në njoftim. /Insajderi.com/