Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe aktualisht lideri i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, ka deklaruar se “Aleksandër Vuçiq (presidenti serb) e ka pushtuar demokracinë në Serbi”, njofton Insajderi.
Jeremiq këto komente i ka bërë në një intervistë për prestigjiozen gjermane, Süddeutsche Zeitung.
Jeremiq ishte një nga liderët e opozitës në Serbi që i dërguan një letër Komisionit Evropian duke kërkuar angazhimin evropian, me qëllim që të ushtrojë presion ndaj Vuçiq për të ndaluar shkeljen e lirisë së medias dhe sundimit të ligjit.
Ai ka folur edhe për protestat që u mbajtën në Serbi.
Ka thënë se për momentin njerëzit po frikësohen të dalin në rrugë për shkak të brutalitetit të policisë, por edhe nga frika që ekziston nga infektimi me COVID-19.
Gjithsesi, politikani serb tha se “kjo paqe relative në rrugët e Beogradit nuk duhet të na mashtrojë”./Insajderi.com