Maqedonia e Veriut, 159 incidente shkaku i urrejtjes

Pothuajse të gjithë këto incidente kanë ndodhur ndërmjet anëtarëve të bashkësisë etnike maqedonase dhe shqiptare,

Maqedonia e Veriut, 159 incidente shkaku i urrejtjes

Shkup, 23 Korrik – Në shtetin e Maqedonisë së Veriut, në të cilin jetojnë shumë etni, vazhdon të shënohet rritje e trendit të urrejtjes për shkak të përkatësisë etnike, shkruan Insajderi.

Numri më i madh i incidenteve të shkaktuara është mes etnive shqiptare dhe maqedonase edhe atë me numër alarmant prej 86%.

Kjo del nga raporti më i ri i Komitetit të Helsinkit, për Krimin nga Urrejtja për vitin 2019.

Shqetësues sipas tyre është fakti se viktimat ose kryerësit e këtyre incidenteve janë të mitur ose të rinj.

“Në periudhën prej 1 janari deri në 31 dhjetor 2019, KH regjistroi gjithsej 159 incidente dhe vepra nga urrejtja. Është rritur numri i incidenteve të kryera në bazë të përkatësisë etnike dhe numri i incidenteve të tilla arrin shifrën alarmante prej 86% nga të gjithë incidentet e regjistruara, pothuajse të gjithë këto incidente kanë ndodhur ndërmjet anëtarëve të bashkësisë etnike maqedonase dhe shqiptare, por ato edhe më tutje mbesin shqetësuese duke pasur parasysh se shumica dërrmuese e viktimave dhe kryerësve të atyre incidenteve janë të mitur/të rinj” thonë nga komiteti i Helsinkut.

Gjuhë të urrejtjes përdorin edhe politikanët gjatë fushatave parazgjedhore.

Mirëpo, shënohet ulje e incidenteve të shkaktuara nga diskursi politik.

“Partitë politike vazhdojnë nxitjen e gjuhës të urrejtjes nëpërmjet shfaqjeve të tyre publike gjatë fushatave parazgjedhore. Gjuha e urrejtjes gjithashtu në masë të madhe shfrytëzohet në rubrikat e parapara për komente në mediat elektronike, të cilat gjenerojnë lajme politike”.

“Ekziston zvogëlimi i numrit të incidenteve politike, por trendi nga dy vitet paraprake me këto lloj të incidenteve mbetet i njëjti edhe këtë vit”, thonë nga komiteti I Helsinkut, njofton Gazeta Online Insajderi. 

Në raport theksohet se numri më i madh i incidenteve – 136, janë regjistruar në Shkup dhe në komunat përreth.

Më shumë incidente janë kryer në prill dhe maj. Nga numri i përgjithshëm i incidenteve të regjistruara, janë vërtetuar 33 prej tyre, përderisa 126 incidente mbesin të pavërtetuara.

Ndër rekomandimet e theksuara në fund të raportit, nga Komiteti i Helsinkit janë që të ndërmerren masa përkatëse që të ndihmohet paraqitja e veprave nga urrejtja nga ana e viktimave, duke përfshirë edhe masat që të ndërtohet besimi në polici dhe në institucionet tjera shtetërore, të grumbullohen dhe publikohen të dhëna gjithëpërfshirëse dhe krahasuese për veprat nga urrejtja, të sigurohet se viktimat e veprave nga urrejtja janë të mbrojtur dhe të mbështetur./Insajderi.com