Apostolova thotë se BE nuk qëndron prapa aktakuzës ndaj Thaçit, Specialja është e pavarur

Apostolova thotë se BE nuk qëndron prapa aktakuzës ndaj Thaçit, Specialja është e pavarur

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se prapa propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk qëndron Bashkimi Evropian.

Sipas Apostolovës, Dhomat e Specializuara në Hagë janë të pavarura dhe duhet të qëndrojnë të tilla.

Apostolova ka shtuar se edhe pas aktakuzave, dialogu me Serbinë po vazhdon, duke shtuar se për personalitet që marrin pjesë në këtë proces, vendosë Kushtetuta.

“Në bazë të saj caktohen njerëzit që e përfaqësojnë Kosovën në dialog, sigurisht që kryeministri Hoti mund të shoqërohet nga kushdo që dëshiron. Pra nuk është e shëndetshme të kombinosh ose t’i lidhësh këto dy çështje, por kur flasim për Dhomat e Specializuara dhe refleksionin që ka në Kosovë, dua t’i bëj disa komente, sepse fatkeqësisht kemi parë tashmë një përpjekje për shfuqizim të këtij ligji dhe ishte i bërë në një mënyrë të pahijshme” ka thënë ajo në KTV.

Sipas saj, aktakuzat e Speciales nuk nënkuptojnë që personi është i fajshëm, madje e ka quajtur të rrezikshëm perceptimin se Bashkimi Evropian përmes kësaj gjykata po ndjekë persona të caktuar, ose po e targeton UÇK-në.

“Jo ne nuk jemi duke e bërë, janë vetëm individë që duhet të përgjigjen për aktet e tyre në atë periudhë kohore”, ka thënë Apostolova. /Insajderi.com/