Kryetari i Kuvendit i republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot është hospitalizuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, njofton Insajderi.
Nga BDI konfirmuan se Xhaferi është pranuar në spital për kontroll sistematik dhe se në testin për Covid-19 ka rezultuar negativ.
Xhaferi i cili sipas Kushtetutës duhet ta thërrasë seancën konstitutive të Parlamentit të ri deri më katër gusht, kohët e fundit deklaroi se do të testohet para se të mbahej seancë dhe se do të sugjerojë që edhe deputetët e tjerë të zgjedhur ta bëjnë të njëjtën.
Nëse Xhaferi nuk është në gjendje ta caktojë seancën konstitutive, dispozitat kushtetuese dhe ligjore përcaktojnë që anëtari më i vjetër i Parlamentit të ri ta bëjë këtë.
Dje dhe pardje, ministrat e Arsimit dhe Shkencës dhe Ekonomisë, Arbër Ademi dhe Kreshnik Bekteshi njoftuan se janë pozitivë në Covid-19./Insajderi.com