Deputeti i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Gazmend Syla, është deklaruar rreth përgatitjes së Qeverisë së Kosovës, për t’u përballur me Serbinë në procesin e bisedimeve që pritet të rifillojë së shpejti.
Derisa e mori fjalën, Syla ka pyetur Qeverinë nëse ka statistika të sakta mbi viktimat e luftës së fundit në Kosovë.
“A e din shteti jonë, institucionet tona, sa është numri i të vrarëve, për shkak se në këtë rezolutë thuhet se janë 12 mijë të vrarë. A janë rrafsh 12 mijë, a janë 11 mije diçka apo mbi 12 mijë? Thuhet se janë të vrarë 1,500 fëmijë. A janë rrafsh 1,500 fëmijë të vrarë?”, ka pyetur Syla.
Ai tutje ka vazhduar edhe me pyetje të tjera drejtuar kryeministrit Hoti dhe institucioneve shtetërore, duke thënë se merren me çështje të mëdha, por në bërthame janë keq.
“A e dimë ne sa dëshmorë i ka vendi jonë. A e dimë sa invalidë? A e njohim ne një invalid që i ka humbë sytë në luftë, që është i vetmi? Pakkush ia din emrin. Ai quhet Maliq Dragusha, nëse dikush do me ditë. Ne merremi me çështje të mëdha, por ne në bërthamë jemi keq. Po e zëmë që Vuçiq një ditë do të kërkojë falje, a ka shteti ynë shifra të sakta për viktimat e luftës?”, ka pyetur ai.
Po ashtu, Syla në fjalën e tij ka kërkuar nga shefi i GP të VV, Rexhep Selimi, që të frenojë aktivistët e VV-së të cilët, tha ai, po e rëndojnë gjendjen shëndetësore të invalidit të luftës Shpejtim Agusholli, duke i shkruar në rrjetet sociale. /Insajderi.com/